U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së) Naim Rexha, i shoqëruar nga stafi i tij, ka pritur në takim zyrtar komandantin e bazës së NATO-së në Napoli admiralin James G. Foggo dhe
gjeneralin e KFOR-it Salvatore Cuoci, të cilët po ashtu ishin të shoqëruar nga një delegacion i KFOR-it.
Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Naim Rexha fillimisht falënderoi admiralin James G. Foggo dhe gjeneralin Salvatore Cuoci për vizitën e tyre, dhe njëkohësisht e cilësoi takimin si mjaft të rëndësishëm dhe të mirëpritur nga Policia e Kosovës.
Me qëllim të njohjes sa më të mirë të organizatës policore, U.d. Drejtori Rexha përmes një prezantimi gjithëpërfshirës të strukturës organizative dhe funksionimit policor, para të pranishmëve prezantoi vizionin, misionin, vlerat dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Njëkohësisht zyrtarët e NATO-s dhe KFOR-it u njoftuan se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar dhe krimit trans kufitar.
U veçua se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me autoritet e KFOR-it, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta, kryesisht në brezin kufitar.
U.d. Drejtori Rexha gjatë këtij takimi prezantoi edhe angazhimet dhe punën e pakursyer që Policia e Kosovës po bën në shumë fusha, e në veçanti atë të bashkëpunimit ndërkombëtar të realizuar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU).
Si rezultat i nevojës së angazhimit, bashkëpunimit dhe inkuadrimit të Policisë së Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, siç është INTERPOL-i, U.d. drejtori Rexha kërkoi nga admirali James G.Foggo dhe gjenerali Cuoci, që të përkrahin dhe të mbështesin Policinë e Kosovës në anëtarësimin e saj, i cili është një ndër qëllimet primare të PK-së.
Në anën tjetër admirali James G. Foggo dhe gjeneral Cuoci, po ashtu falënderuan Rexhen për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in.
Po ashtu nga të njëjtit u konfirmua se do t’i kushtojnë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në nivel rajonalë të të dy institucioneve, e që kanë synime të përbashkëta në sigurinë e vendit dhe qytetarëve.
Takimi zyrtar u përmbyll me një vizitë të realizuar në Qendrën Operative Komunikuese të PK-së.