Rexha: Vendimi i KPM-së, skandaloz dhe dëshmi e kapjes së institucionit nga VV-ja

Prishtinë | 15 Maj 2026 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit të Pavarur të Mediave, ku u morën vendime për 26 raste që lidhen kryesisht me zgjedhjet e shkurtit 2025.

Përmes një postimi publik, Rexha tha se KPM-ja e ka dënuar Klan Kosovën me 3 mijë euro gjobë, me arsyetimin se “kronikat kryesisht kanë pasur qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara në vetëm një burim informacioni e që lidhen me pushtetin aktual”.

Sipas tij, ky arsyetim dhe qëndrimi i kryetarit të KPM-së, Besnik Berisha, janë “absolutisht skandaloze” dhe përbëjnë, siç u shpreh ai, “vërtetim të kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje”.

Rexha bëri të ditur se me gjoba janë dënuar edhe RTK1 dhe Kanal10 për shkelje të pretenduara që lidhen me zgjedhjet.

Postimi i plotë:

KPM-ja është mbledhur sot për të marrë vendime për 26 raste që lidhen kryesisht me zgjedhjet e shkurtit 2025. Në një rast, Klan Kosova është dënuar me 3000 Euro gjobë për, siç ka thënë kryetari Besnik Berisha, “kronikat kryesisht kanë pasur qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara në vetëm një burim informacioni e që lidhen me pushtetin aktual”. Ky arsyetim, qëndrim i kryetarit Berisha dhe KPM-së është absolutisht skandaloz dhe vërtetim i kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje.

Janë dënuar me gjoba edhe RTK1 dhe Kanal10 për shkelje të pretenduara që lidhen me zgjedhjet. Pas pak, vendime të rëndësishme edhe për T7 dhe TV Dukagjini. AGK-ja dhe organizatat e shoqërisë civile që po e monitorojnë mbledhjen, do të dalin me qëndrim në fund të saj.

Të ngjashme