Anëtari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Azem Rexhaj, i cili ka qenë dhe drejtor i këtij institucioni, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re”, se deri më tani janë evidentuar 66 operues ilegalë të cilët janë duke i shfrytëzuar resurset natyrore.
Ai ka thënë se të gjithë këtyre operatorëve u janë vendosur shiritat për ndalim të veprimtarisë së tyre ilegale.
“Është përgatitur plani operativ i veprimit ‘Parandalimi dhe ndalim i aktivimeve të jashtëligjshme në sektorin minerar’, në të cilin marrin pjesë Policia e Kosovës, Inspektorati i KPMM-së, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe inspektoratet komunale. Objektiv i këtij plani operativ është ndërprerja e të gjitha aktivitetet të kundërligjshme në sektorin minerar”.
“Në momentin e inspektimit që vërehet se një kompani s’ka licencë, atëherë policia i vendos shiritat dhe pastaj secili institucion sipas kompetencave përgatitë dokumentacionin për t’u kompletuar lënda për dërgim në prokurori. Nëse hiqen shiritat që ka pasur raste, atëherë policia i arreston”, është shprehur Rexhaj.
Më tutje Rexhaj, ka thënë se veprimtaria ilegale e këtyre operatorëve i ka shkaktuar dëme financiare dhe ambientale vendit tonë.
“Dëmi që kanë shkaktuar aktivitet ilegale gjatë këtyre viteve është qindra milionësh, si në aspektin e ambientit, prishjes se shtretërve të lumenjve dhe konkurrencës jolojale. Shihni, kemi rrugë që prishët pas gjashtë muajsh për shkak të cilësisë së dobët të lëndës që e kanë nxjerr ilegalisht, apo të jem më i qartë me lëndën e parë të vjedhur. Resurset minerale janë pronë e Republikës se Kosovës dhe kushdo që i shfrytëzon pa licencë konsiderohet vepër penale. Aksioni ka filluar më 18 mars 2019 dhe është duke vazhduar me angazhim maksimal. Deri me tani janë evidentuar 66 operues ilegalë dhe u janë vendosur shiritat për ndalim të tyre”, ka deklaruar Rexhaj.