Rexhepi: Është e domosdoshme të kemi konsullatë të Shqipërisë në Luginën e Preshevës

Prishtinë | 19 Pri 2026 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka thënë se hapja e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc është “e domosdoshme” për t’u qenë më afër shqiptarëve të Luginës.

I ftuar në emisionin “InfoMagazine” në Klan Kosova, Rexhepi e përshëndeti kërkesën e ministrit Hoxha për hapjen e konsullatës, duke theksuar se kjo nismë nuk është e re.

“Ne si Këshill Kombëtar Shqiptar e përshëndesim kërkesën e ministrit Hoxha për hapjen e konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Luginë të Preshevës. Kjo iniciativë është e vitit 2019, kur ne si KKSH kemi kërkuar me ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë që të hapim konsullatën shqiptare në Luginë”, deklaroi ai.

Sipas Rexhepit, shtytja e fundit e dhënë nga ministri Hoxha e ka rikthyer çështjen në agjendë, ndërsa ai vlerësoi se koha për hapjen e konsullatës është tani.

“Është e domosdoshme e kohës që konsullata e Republikës së Shqipërisë të hapet në Luginë të Preshevës dhe të jetë më afër qytetarëve, sepse Lugina e Preshevës është realisht e banuar me shqiptarë në këto troje”, tha Rexhepi.

Ai nuk dha afate konkrete se kur mund të ndodhë hapja e konsullatës, por theksoi se prania konsullore do të lehtësonte shërbimet dhe lidhjen institucionale me qytetarët shqiptarë në Luginë.

Të ngjashme