Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka propozuar që një rruge në Prishtinë a qytete të tjera të Kosovës t’i vendoset emri i ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe. Gjithashtu ai ka propozuar që ndonjë rrugë tjetër të marrë emrin “Japonia”, si shenjë respekti dhe falënderimi për këtë shtet që e ka ndihmuar shtetndërtimin e Kosovës.
Rexhepi ka thënë për Ekonomia Online se Abe nuk ka hezituar asnjëherë që të lobojë për interesat e Kosovës.
“Pas vdekjes tragjike të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, i cili e humbi jetën në mënyrë tragjike nga një jo njeri… Ai është një personalitet i jashtëzakonshëm që ka bërë shumë për Japoninë, por ka bërë shumë edhe për popullin e institucionet e Kosovës”.
“Sipas informacioneve që disponojmë dhe janë publike, zoti Abe asnjëherë nuk ka hezituar që të mbështesë e t’i pres delegacionet tona në Japoni, mirëpo edhe të lobojë për interesat e Kosovës”.
“Andaj, ne si shoqatë veç kemi dalur me një propozim publik që së paku një rrugë në një qytet ndoshta, pse jo në Prishtinë, e në rrugët kryesore t’i vendoset emri i tij”.
Propozimi tjetër i tij është që në kryeqytet apo edhe qytete tjera të vendoset edhe emri i rrugës “Japonia”, kjo pasi sipas tij, Japonia ka bërë shumë për Kosovën në disa fusha të ndryshme.
“Mirëpo është një kërkesë tjetër, që pse të mos vendoset emri i tij në disa qytete të Kosovës apo ne po e shtojmë në këtë rast në ndonjë qytet tjetër, ose në Prishtinë ti jepet emri Japonia. Ky shtet mik ka bërë shumë, para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte në të gjitha segmentet për Kosovën dhe për popullin e Kosovës në përgjithësi. Kësaj radhe po e shfrytëzoj mundësinë që ta zgjeroj propozimin tim që e kam dhënë dje në emër tim, të simpatizantëve të shoqatës që besoj se do të arrijmë marrëveshje me ndonjërin prej kryetarëve të Komunave të Kosovës që pos mortum ta shpallim qytetar nderi në një komunë dhe njëkohësisht të jepet ose të rregullohet një shesh me emrin e tij”.
Ai konsideron se tani është koha e duhur që të tregojmë respekt të veçantë për shtetin Japonez.
“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë dhe momenti i duhur që ta tregojmë një respekt të llojit të veçante shtetit Japonez, institucioneve japoneze se ne populli i Kosovës, jemi mirënjohës dhe falënderues e tua kthejmë nderin për atë që kanë bërë për ne gjatë historisë”.