Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës” Agim Rexhepi, në një prononcim për Ekonomia Online tha se ShBA-ja ka qenë, është, dhe do të mbetet shtet lobues në interes të Kosovës.
Megjithatë sipas Rexhepit është e rëndësisë së dorës së parë se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e Kosovës duke përmendur edhe lobimin e Shqipërisë, si faktor për rezultate më të fuqishme.
Rexhepi tha se nuk pret që Serbia t’i minojë ndonjëherë apo edhe ta ndalojë lobimin e ç’njohjeve ndaj Kosovës.
Megjithatë tha se duhen shfrytëzuar lidhjet e krijuara ndërmjet shteteve për avantazhe politiko-diplomatike. Ai mendon që gjendja në arenën diplomatike nuk është aspak e mirë.
“ShBA-në e kemi shtet strategjik, e kemi shtet që ka qenë sponzorizues i pavarësisë së shtetit të Kosovës, e kemi shtet i cili ka bërë shumë edhe në lobim edhe në investim në krijimin e vendit, të ligjit, avancimin e institucioneve shtetërore, avancimin e institucioneve të policisë, të FSK-së e të ushtrisë së Kosovës. Dhe është kjo që në çdo formë është duke lobuar. Besoj që do lobojë edhe në të ardhmen. Ajo e vazhdon lobimin e saj por në pyetje është sa ne, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, lobojmë për të arritur rezultate kulminante e për t’i arritur objektivat tona apo sa bënë lobim shteti shqiptar për interesat e kombit, kushtimisht të them sepse edhe pse jemi dy shtete, mirëpo mendoj se edhe sikur dy shtete të koordinoheshin, mendoj se do kishim rezultate shumë më të fuqishme”, u shpreh Rexhepi
“Serbia asnjëherë nuk i ka ndalur veprimet e saj pas luftës e tutje, dhe nuk do t’i ndalë asnjëherë, pavarësisht sa apo si deklarohen. Sepse është dëshmuar gjatë historisë se serbët e kanë pretendim këtë gjë mirëpo mund të kenë lëvizje me finesa dhe deklarata diplomatike të cilat pijnë ujë në arenën ndërkombëtare, sepse është një maksimë. Ai që është i mençur dhe ai shtet që di t’i përdorë momentet dhe lidhjet, ai shtet krijon edhe avantazhe politiko-diplomatike. Kemi rezultate, nuk është se nuk kemi rezultate, por për mua janë të pamjaftueshme. Deklaroj që nuk e kemi gjendjen e mirë në arenën diplomatike, sepse është botërisht e njohur se është në përfundim e sipër një konfigurim i ri botëror në arenën politiko-diplomatike dhe në atë gjeo-politike, gjeo-strategjike, andaj ky është shqetësimi im më i madh, sepse për të ardhur një moment i tillë nevojiten të paktën njëqind vite të tjera”, tha Rexhepi.
Sa i përket institucioneve, Rexhepi tha se ato nuk kanë punuar mjaftueshëm, për më tepër nuk kanë bërë veprimet e duhura që t’u paraprinë proceseve politiko-diplomatike.
Faji më i madh sipas tij, është që reagimet po vijnë pasi po marrin fund proceset. Ai sugjeroi hartimin e një plani me anë të së cilit të formohej një strategji nacionale.
“Unë mendoj që institucionet tona nuk kanë lëvizur mjaftueshëm, nuk kanë punuar mjaftueshëm, dhe nuk kanë bërë veprime siç duhet që të paraprinë efekteve politiko-diplomatike. Fatkeqësisht edhe institucionet edhe ne reagojmë vetëm pasi po përfundojnë proceset. Për ata që merren apo të them, për ata që pak marrin erë në diplomaci dihet që për një çështje apo veprim të caktuar shtetet apo fuqitë e mëdha ose lobet e fuqishme fillojnë pesë deri 10 vjet më parë. Tek atëherë, pasi të jenë të gatshëm i hedhin në skenë vendimet e caktuara. Jemi dëshmitarë të shumë rasteve historike ku nuk është vlerësuar e drejta. E kemi rastin e Shën Stefanit. Pra po kthehemi te ajo se në diplomaci nuk ka drejtësi, ka forcë, ka dije”.
“Ai që di shkon tutje, ai që nuk di e merr në qafë popullin, shtetin e vetë. Me ose pa dashje. Shteti ynë e ka të nevojshme të krijojë një strategji nacionale, të paktën 100 vjeçare. Unë nuk po them diçka të re ose diçka shumë të mençur, sepse këtë e kanë bërë kombet e tjera para 200 ose 300 viteve. Serbët e kanë Nacertanian, pra para 100 e sa viteve. Ne nuk jemi duke u mbushur me mend”, nënvizoi Rexhepi.