Rezoluta për shkarkimin e anëtarëve të Listës Serbe, Osmani përplaset keq me Simiqin

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është përplasur ashpër me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, rreth propozimit për miratimin e një rezolute në të cilën kërkohet përjashtimi i anëtarëve të Srpskas nga Qeveria të cilët përkrahin vendimet e Serbisë kundër pavarësisë dhe integritetit territorial.

Simiq ka thënë se një deklaratë e tillë nuk mund të jetë si subjekt i një rezolute të tillë. Ai tutje ia ka përmendur Vjosa Osmanit edhe 20 votat e Listës Serbe për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë reagimi i Osmanit ka qenë i menjëhershëm. Kryekuvendarja Osmani i ka thënë Simiqit se ajo se ka ndjekur askënd korridoreve për vota.

Ajo gjithashtu i ka kujtuar Simiqit se deklarata rreth përkrahjes së Vuçiqit është e Listës Serbe, dhe se kreu i partisë është Goran Rakiq, zëvendëskryeministri i Kosovës.

“Nuk keni asnjë nevojë të paraqitni të pavërteta para këtij Kuvendi. Unë asnjëherë se kam ndjekur askënd korridoreve për asnjë votë. Kjo është një deklaratë e pavartetë nga ana juaj. Deklarata të cilën e lexova, të cilën e keni lëshuar në gjuhën serbe dhe atë angleze thotë se mbështesni presidentin Vucic në luftën për “Kosovën dhe Metohinë”, kjo është deklaratë e Listës Serbe, kryetar i Listës Serbe është Goran Rakiq, përveç nëse e keni ndryshu në ndërkohë.. Ndërsa kur më keni votuar, nëse keni menduar që unë e përkrah këdo, që i bashkohet Vuçiqit në beteja diplomatike e politike, e keni pasur gabim. Ju e thatë me të drejtë, keni thënë që po votojmë për themelim të institucioneve. Të gjithë e dimë që s’keni votuar për mua si person, por për themelimin e institucioneve”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme