Avokati, Tomë Gashi, në një deklaratë për Ekonomia Online, tha se Lëviza Vetëvendosje nuk ka pasur kandidatë adekuat për kryetar në disa komuna. Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi Qeveria nuk ka dashur t’i sakrifikojë disa nga ministrat.
“Lëvizja Vetëvendosje sa i përket aspektit të kandidatëve për kryetarë të komunave mendoj që në disa prej tyre nuk janë dërguar njerëz adekuatë, për shkak që mos të dobësohet Qeveria dhe ato ministri. Pra në termin nuk është dashur të sakrifikohen disa prej ministrave që janë shumë të mirë në Qeverinë Kurti për t’u deleguar që të bëhen kryetarë të komunave përkatëse”.
Gashi tha se VV-ja nuk e ka arritur rezultatin e pritur, por që ai pret se në raundin e dytë situata të ndryshojë.
“Lëvizja Vetëvendosje definitivisht është partia më e madhë në Kosovë, dhe nuk mund ta kemi pikënisje 14 shkurtit ku si parti e vetme doli fituese, mirëpo tani kemi të bëjmë me çështje të zgjedhjeve lokale. Duhet ta shohim se në 12 komuna Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e para dhe tani presim që përafërsisht pas tre javëve ndoshta jo në të gjitha të dal e para dhe të fitojë mandatin e komunave. Situata ka qenë e tillë ku vota është shpërndarë dhe nuk e kemi pasur rezultatin e pritur të kësaj partie”.
“Po mendoj që kemi pasur bastione, ku nëse një parti politike ka fituar Deçanin dhe vendet e tjera me gjithë respektin ato janë komuna në vete por janë komuna shumë të vogla, dhe ne nuk mund t’i krahasojmë qytetet e mëdha siç është kryeqyteti dhe që më shumë janë komuna politike”, tha Gashi.
Sipas tij Prishtinën do ta fitojë kandidati i VV-së Arben Vitia dhe që për herë të parë Prishtina të dalë nga kjo zymtësi.
“Është një peshë shumë e madhe se kush do ta fitojë Prishtinën dhe mendoj që do ta fitojë kandidati i VV-së Arben Vitia, dhe që për herë të parë do dal Prishtina nga kjo zymtësi”.