Ditët e fundit të gushtit të shënuara me temperatura të larta po shënojnë shtim të numrit të zjarreve. Disa vatra janë regjistruar në të gjithë vendin ku janë djegur disa hektarë pyje e drurë frutore, por nuk ka rrezik për zonat e banuara!
Një zjarr i fuqishëm përfshiu një masiv pyjor në malin e Pashtrikut në Bashkinë e Hasit.
Vatra e zjarrit është shfaqur në kufirin shtetëror Shqipëri-Kosovë, ndërsa e ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era ka përfshirë rreth 4 hektarë pyje.
Drejt zonës janë nisur forca zjarrfikëse nga Hasi por operacioni për ta vënë nën kontroll është i vështirë pasi terreni i ashpër nuk lejon mbërritjen e mjeteve.
Flakët rrezikojnë dy pika të transmetuesve televizivë dhe telefonisë së lëvizshme ndërsa shtëpitë e fshatrave Pogaj e Gorozhup janë rreth 2 km nga vatra e zjarrit.
Prej dy ditësh ndërkohë vijon zjarri në zonën e Likopinës dhe Sirakatit në Delvinë.
Të martën zjarri u vu nën kontroll, por era e fortë dhe temperaturat kanë bërë që vatrat të riaktivizohen.
Për të vënë flakët nën kontroll janë angazhuar zjarrfikësit dhe banorë të zonës.
Në zonë ndodhen edhe puse nafte, por deri tani nuk ka rrezik.
Një vatër zjarri u shfaq edhe në Lapulec të Mallakastrës ku u dogjën ullishte dhe u rrezikua një fabrikë e përpunimit të ullirit.
Zjarrfikësve iu desh disa orë luftë më flakët për ti vënë nën kontroll.
Rreth 3 hektarë me pyje dhe 2 dynym ullishte u dogjën në Mbreshtan të Beratit.
Zjarrvëniet e qëllimshme dhe pakujdesia kanë qenë shkaqet kryesore të zjarreve këtë verë.