Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka prezantuar studimin “Procesi i pajtimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve në kontekstin e marrëveshjes finale të dialogut Kosovë-Serbi”, raporton Ekonomia Online.
Shpend Voca nga RIDEA ka prezantuar raportin duke rekomanduar një sërë çështjesh për marrëveshjen eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se sa i përket ndjekjes së përgjegjësve për krimet në Kosovë ka shumë pak progres për të mos thënë ka dështuar.
“Sa i përket situatës aktual për dëmet e luftës dhe krimet, ekziston një lloj destruktiviteti kjo ka të bëjë me deklarata që e mohojnë krimet. Nga ky studim ne kemi përpiluar një sërë rekomandimesh për marrëveshjen eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Ai thotë se procesi i pajtimit është në dy shtylla: trajtimi i së kaluarës dhe shikimi kah e ardhmja.
“Një proces i suksesshëm pajtimi kërkon adresimin e dëmeve të luftës dhe pasojave të saj. Procesi i pajtimit mos të jetë i arritshëm nëse viktima nuk e pranon faljen edhe kur agresori e kërkon atë. Duhet hetim ligjor për përgjegjësit e luftës, trajtim i rasteve me profil të lartë”, tha ai.
Sipas tij, ndjekja dhe ndëshkimi i përgjegjësve të luftës ka dështuar duke lënë te pa adresuara vuajtjet e viktimave.
“Kërkesa për pranimin e përgjegjësisë nga shteti i Serbisë për rolin gjatë luftës, kërkesën për kërkim falje ndaj viktimave, kërkesën për përshpejtimin e të pagjeturave, poashtu Kosova të paraqes kërkesë për kompensim të dëmeve të luftës”.
Ai tha se Kosova duhet të paraqes kërkesën që Serbia të të shtoj përpjekjet për zbardhjen e krimeve të luftës dhe BE-ja të ketë rol monitorues në këtë proces.