Pas homazheve, kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar edhe kullën e Jasharajve ku është pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifati.
Haradinaj tha se është e mrekullueshme të shohësh njerëz nga të gjitha trevat shqiptare që vijnë sot në Prekaz për të bërë homazhe.
“Është e mrekullueshme të shohësh sot të gjithë këta njerëz nga të gjitha anët e atdheut. Falë Zotit që gjaku dhe mundi nuk është humbur dhe ai gjak ka dalë në dritë dhe dritë u bëftë për të gjithë këtë popull”, tha Haradinaj.
Nga ana tjetër, Rifat Jashari, falënderoi kryeministrin dhe të gjithë njerëzit që sot po e vizitojnë duke e thënë se ia largojnë dhimbjen. Ai ka thënë se tashmë duhet të punojmë për avansimin e shtetit.
“Çfarë kënaqësie të shohësh ushtrinë e Kosovës aty në oborr, duke ditur se para 21-vitesh aty ka qëndruar dikush tjetër dhe është folur një gjuhë tjetër. Falë Zotit e arritëm këtë ditë. Tashmë duhet të punojmë nga më i vogli e deri tek më i madhi për të avansuar ushtrinë dhe shtetin e Kosovës”, deklaroi Rifat Jashari.