Katër aktivistë të Vetëvendosjes, përfshirë zëdhënësin Arlind Manxhuka, do të rigjykohen për postimet e bëra në 2022-n ndaj një gjyqtari e tashmë ish-prokurori, pasi organet e drejtësisë e liruan nga paraburgimi të dyshuarin për sulm në objektin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut. Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë prokurorisë pas lirimit të Manxhukës, ndërsa ka miratuar ankesat e tre aktivistëve që ishin dënuar me nga 6 muaj burgim.
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vendimin e Themelores ndaj zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka, e tre aktivistëve të tjerë Egzon Azemi, Edi Zenelaj e Qerim Elshani, në rastin për nxitje të urrejtjes dhe kanosje ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit special, Afrim Shefkiu.
Vendimi i shkallës së dytë u mor pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe avokatëve të të akuzuarve.
Themelorja e pati liruar Manxhukën nga akuza për nxitje të urrejtjes, e Azemin dhe Elshanin i dënoi me nga 6 muaj burgim për kanosje, ndërkaq Zenelajn me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Për Manxhukën, Apeli ka konstatuar se ankesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar, sepse Themelorja nuk ka sqaruar se veprimet e tij nuk përmbushin elementet e veprës penale për të cilën akuzohet.
“Po ashtu, nuk jepet asnjë arsyetim lidhur me mënyrën se si janë vlerësuar provat në raport me veprën penale dhe elementet e saj, si dhe lidhur me përfundimet që ka nxjerrë gjykata, përfshirë rastin kur konstatohet se publikimi i shkrimit (statusit) në Facebook nga i akuzuari, me përmbajtjen e përshkruar në aktakuzë, nuk ka konsumuar elementet e veprës penale për të cilën ai akuzohet”.
Apeli u ka dhënë të drejtë tre të dënuarve, që janë ankuar në vendimin e Themelores.
Sipas gjykatës së shkallës së dytë, në raport me të akuzuarit Azemi dhe Elshani, aktgjykimi i Themelores përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës. Në aktvendim thuhet se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet kryesore që përbëjnë figurën e veprës penale.
“Këto postime dhe komente janë bërë nga profilet e tyre personale dhe nuk shihet se kanë ndonjë referencë konkrete drejtuar një personi të identifikueshëm me emër, mbiemër, pozitë apo funksion zyrtar. Në këtë rast, gjykata nuk ka dhënë arsyetim të qartë dhe të mjaftueshëm se si ka konstatuar se postimet dhe komentet e publikuara nga të akuzuarit kanë qenë të drejtuara kundër të dëmtuarve M. B. dhe A.S H.”
E për të akuzuarin tjetër Zenelaj, në aktvendimin e Apelit, thuhet se arsyetimi i aktgjykimit është i kufizuar vetëm në interpretimin e përmbajtjes së shkrimeve në grafitet e shkruara dhe të publikuara në hapësira publike me përmbajtje “Shtyllë e turpit gjyqtari M. B. dhe prokurori A. SH.”.
Gjykata e Apelit ka kërkuar nga Themelorja që ta riprocedojë këtë çështje, duke administruar provat e propozuara nga palët.
Në këtë rast, Prokuroria Speciale ka akuzuar Manxhukën e Azemin se kanë nxitur urrejtje e mos durim ndaj gjyqtarit Bajraktari e prokurorit Shefkiu me postimin e dhjetorit të 2022-tës. Azemi pati shpërndarë citatin “tradhtarët, plumbin e kanë hak” e Manxhuka ka shkruar se “ky aktlirim është akt tradhtie”.
Postimet u shkruan në kohën kur u ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndaj Dejan Pantiqit, i akuzuar për sulm në zyrën e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut. /koha