Në shqyrtimin gjyqësorë lidhur me akuzat për mashtrim ndaj Salih dhe Lutfi Zariqit, gjatë seancës së mërkurë, pas diskutimeve midis prokurorit të këtij rasti Menduh Kastrati dhe gjykatësi Eroll Gashi, ky i fundit i nervozuar me ndërhyrjet nga përfaqësuesi të palës së dëmtuar, avokatit Rexhep Kabashit, ka goditur me dorë tavolinë e gjykatores, duke kërkuar qetësi nga palët prezente.
“Ka dal bre mos um bani zhurmë allaile”, i ka tërhequr vërejtjen gjykatësi Gashi avokatit Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu në fund të gjykimit patë fjalosje të ashpër midis gjykatësit Gashi dhe avokatit Kabashi, ku madje ky i fundit pas kësaj përplasje kërkoi përjashtimin e gjykatësit Gashi nga ky rast.
Deri te kjo fjalosje e ashpër midis gjykatësit Gashi dhe avokatit Kabashi erdhi pasi që ky i fundit kërkonte vazhdimisht që t’i mundësohet propozimi i provave të reja materiale, derisa gjykatësit Gashi i thoshte se ende nuk kanë arritur në atë pjesë.
“A e kupton procedurën a je avokat po ulu mos um pengo ma shumë ulu”, tha gjykatësi Gashi në drejtim të avokatit Kabashi.
Ndaj avokatit Kabashi, gjykatësi Gashi shqiptoi vërejtje si dhe më pas edhe gjobë prej 250 euro, pasi që edhe përkundër vërejtjeve verbale i njëjti sërish ndërhynë në punën e gjykatës.
Paraprakisht në këtë seancë u bë leximi i deklaratës së të dëmtuarës Hasime Dushullovci, e cila po shtoi se nga gjykata kërkon vetëm drejtësi, ngase sipas saj, si ka mbetur gjë tjetër pos të fle në gjykatë, pasi që kjo çështja është shumë moti në gjykatë.
Kjo seancë më pas u ndërpre pasi që avokati Kabashi kërkoi përjashtimin e gjykatësit Gashi, derisa ky i fundit njoftoi se seanca ndërpritet deri në një vendim të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Lidhur me kërkesën për përjashtim të gjykatësit Gashi, avokati Kabashi tha se përmes parashtresës do t’i sqaroj pretendimet e tij.