Rihapen për qarkullim edhe Merdarja e Bërnjaku

Prishtinë | 07 Sht 2024 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë rihapur për qarkullim të plotë pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Merdarë e Bërnjak.

Siç ka shkruar në Facebook, ministri i Brendshëm, në anën e Serbisë janë larguar bllokadat e krijuara një ditë më parë.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, ka shkruar ai.

Që nga ora 18:00 e ditës së djeshme, grupe ekstremistësh serbë bllokuan disa nga pikëkalimet kufitare me Kosovën nga ana e Serbisë.

Siç u raportua, në rrugët që çojnë nga Serbia për në Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak, serbë edhe të maskuar, nën shoqërinë e policisë serbe, kishin dalë afër kufijve duke mos lejuar kalimin e shtetasve me dokumente të Republikës së Kosovës.

Radomir Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, i cili edhe ka organizuar këto bllokada, pati thënë se do të lejohen vetëm automjetet spitalore dhe qytetarët me dokumente të Serbisë – jo edhe ata me të Republikës së Kosovës.

Mbrëmë në orët e vona, një familje kosovare ishte nisur nga Spitali i Prishtinës në drejtim të Gjermanisë për ta dërguar fëmijën e tyre për trajtim.

Ata kishin kaluar kufirin e Kosovës, mirëpo nuk u lejuan të shkojnë tutje nga maskat serbe, duke u detyruar të kthehen mbrapsht.

Për këtë rast reaguan ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Ata akuzuan edhe presidentin serb, Alleksandar Vuçiq, se qëndron prapa këtyre bllokadave. Gjithashtu, u kërkua ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e kufijve.

Meqë nuk pati reagim e as veprime në këtë drejtim, Kosova u detyrua të mbyllte kufijtë në tërësi në mënyrë që qytetarët të mos ballafaqoheshin me personat e maskuar në Serbi.

Për bllokadat kufitare është deklaruar sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se vendosja e bllokadave nëpër pikëkalimet kufitare nga ana e Serbisë është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë e rajon.

Të ngjashme