Rihapet sërish konkursi për anëtarë të KPM-së, veç katër kandidatë i plotësuan kriteret

Prishtinë | 12 Qer 2024 | 10:35 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i ka kërkuar kësaj të fundit të rishpallë edhe një herë konkursin për shkak se disa kandidatë të propozuar për këto pozita nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ky komision shqyrtoi listën e shtatë kandidatëve të propozuar, për të cilët u tha se disa i plotësojnë kriteret e disa jo.

Altin Shala, Ndrec Musolli, Serpin Emrusi dhe Amanda Toska, ishin kandidatët e vetëm që i plotësuan kushtet për anëtarë në KPM, ndërsa Belkise Berisha-Xhemajli, Stanko Tasiç e Zharko Bulatoviç nuk i plotësuan kushtet për këto pozita.

Kryetari i këtij komisioni, Agim Veliu, tha se në bazë të listës, duhet të rishpallet edhe një herë konkursi.

“Ne raste të tilla nuk kemi nevojë me i dhënë askujt afat, kur kohëzgjatja është e mjaftueshme dhe është bërë praktikë me apliku për pozicione të rëndësishme pa i plotësuar kriteret”, tha Veliu.

Mendim të njëjtë për shpallje të konkursit ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, teksa kritikoi edhe ligjin e ri të KPM-së, i cili parasheh 11 anëtarë.

“Edhe unë pajtohem, jam për me shpall edhe një here konkursin, është interesant që Ligji që është duke na ardhë për KPM është paparaparë te jenë 11-të (anëtarë) e që është absurditet se për 7-të s’po mundeni me i plotësu e lëre me 11 (anëtarë), tha Shabani.

Pro hapjes së konkursit ishte edhe deputeti i pushtetit, Valon Ramadani.

“Edhe unë pajtohem që s’ka kandidatë të vazhdohet tutje, e shpallim konkursin prapë dhe ku kushdo mundet me apliku”, u shpreh ai.

Të ngjashme