Instituti Riinvest, ka mbajtur të martën tryezë diskutimi me temën: “Avancimi i mbështetjes për zhvillimin e inovacionit në Kosovë”, ndërsa një nga problematikat po konsiderohet mungesa e agjencive për zbatimin operative të politikave dhe financimi i pazgjidhur, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se financimi i pamjaftueshëm është një nga arsyet kryesore për situatën e pakënaqshme në këtë sektorin. Përveç kësaj, shumica e pjesëmarrësve në hulumtim besojnë se struktura apo rregullativa ligjore krijon pengesa ose kufizime për zhvillimin më të shpejtë të sektorit në Kosovë. Strukturat apo mekanizmat institucionalë, politikat dhe procedurat për menaxhimin e Programit Kombëtar të Shkencës (PKSh) konsiderohen si një fyt i ngushtë apo si pengesë për një zbatim më efikas të objektivave të përcaktuara të kërkimit dhe zhvillimit përmes zgjidhjeve ligjore dhe dokumenteve strategjike. Sipas Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe dokumenteve të tilla si Strategjia Kombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi (2019-2023) dhe Programit të Reformave Ekonomike (2022- 2024), objektiv kryesor është ndërtimi i lidhjeve të komunitetit të kërkimeve me industrinë dhe zhvillimi.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, tha se një nga problemet themelore është mungesa e agjencive për zbatimin operative të politikave dhe procedurave të mbështetjes
“Qëllimi i takimit sotëm është të kontribuojmë për ndërtimin e një ekosistemi përkatësisht sistemi efektiv për mbështetjen e inovacioneve. Raportin unë do ta përshkruaj në gjendjen aktuale do të përshkruaj draftin e ligjit për inovacione e ndërmarrësi, ky ligj qe ka me shku në procedurë parlamentare do të jete edhe më mire do te flas për fondin për inovacione dhe rastet e studimit nga rajoni. Korniza ligjore dhe ajo qe kemi nuk janë të mjaftueshme, konkretisht me këtë merren dy departamente, departamentet për kërkime shkencore dhe inovacione”.
Ai tha se investimet në kërkim dhe inovacion nga buxheti i qeverisë dhe burime të tjera publike mbeten të ulëta.
“Kemi ligjin për programin kombëtar i kërkimeve shkencore 2023-2028 më tepër se një vit ka mbet si draft pa përfunduar procedurën parlamentare. Një nga problemet themelore është mungesa e agjencive për zbatimin operative të politikave dhe procedurave të mbështetjes. Pra financimi është i pazgjidhur. Sa i përket financimit, Kosova edhe me propozimet e programit të shkencës të cilat nuk janë duke zbatuar ka paraparë më nda 0.11 për qind të GDP për shkencë kohën kur mesatarja e rajonit është 0.5 për qind e GDP. Inovacionet nga buxheti i Kosovës përkatësisht nga MINT në periudhën 2019-2023 janë investuar 560 mijë euro ose 140,000 euro në vit”, u shpreh ai.
Udhëheqësja e Departamentit për Inovacione në MINT, Laura Zherka, tha se ligjin e kanë në fazën përfundimtare dhe qëllimi i këtij ligji është nxitja dhe promovimi i fushës së inovacionit me ndikim në ndërmarrësi.
“Inovacionet që kanë ndikim në shkencë mandej kur e trajton ministria arsimit, ndërsa si ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e trajtojmë inovacionin me ndikim në ndërmarrësi, mirëpo patjetër se këto njëra pa tjetrën nuk munden pa një bashkëpunim komplet të ekosistemit. Ligjin e kemi në fazën përfundimtare para se më shku në Qeveri e kemi dorëzuar te ministria Financave për me marr vlerësimin buxhetor dhe jemi në pritje sepse Ligji ka implikime bukur të larta buxhetore, për shkak të krijimit të fondit të inovacionit, pastaj mandej investime që bëjmë qendra të ndryshme inovacionit. Qëllimi i ligjit së pari me nxit dhe me promovu normalisht mandej edhe me mbështet fushën e inovacionit”, u shpreh Zherka.
Ndërsa Fisnik Reçica – Menaxher i projektit “Promovimi i punësimit në sektorin privat”, tha se Projektligji që pritet të dërgohet për votim është i rëndësisë së madhe. Ai përmendi edhe përfitimet që mund të kenë ndërmarrjet nga ky Projektligj.
“Ligji për inovacione dhe ndërmarrësi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rrethanat ku jemi. Nuk ka një inistucionalizëm dhe nuk kemi një agjencion apo një institucion i cili në mënyrë strategjike dhe vizionare e ndërton një Ekosistem dhe e mbështet ndërmarrjet e i inkuadron akademinë. Sa i përket inovacionit mendoj që është tejet e rëndësishëm që ligji që të finalizohet që të ofroj fleksibilitet të menaxhimit të fondit të inovacionit. E dimë që ligjet janë të ngurta por fondi për inovacionin bëhet për një sistem i cili është fleksibil dinamik, ndryshon kohe pas kohë e nëse ngurtësia ofrohet përmes ligjit atëherë kjo e bën edhe fondin inovativ të jetë bërë”, u shpreh ai.
E profesori universitar, Besnik Krasniqi, tha se “Është një fatkeqësi e madhe që varësia jonë prej nivele inovativë në zhvillim politika është kryesisht prej burimeve të eksperteve të huaja ose te donacioneve të huaja. Mendoj që ka ardhur koha që edhe ne vet që me iniciua projekte të tilla në bashkëpunim me organizata të ngjashme”.