Frika e Jasharajt: Pritet ikje e mësimdhënësve pas liberalizimit të vizave

Prishtinë | 25 Tet 2023 | 16:56 | Nga Ekonomia Online


Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pritet ikje edhe e kuadrove të arsimit. Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kanë frikë për këto ikje, pasi tashmë shumë prej mësimdhënësve kërkojnë pushim një vjetor pa pagesë.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut në një prononcim për Paparacin tregon se shumë mësimdhënës i janë drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për pushim një vjetor pa pagesë.

Siç shprehet ai, një pjesë e tyre e shfrytëzon këtë mundësi për të shkuar drejt Evropës. Jasharaj thekson se mësues nga vende tjera nuk mund të marrin edhe po ti kishin paratë e botës.

“Mendoja që në arsim nuk do ta kemi këtë situatë por informacionet tona nga terreni flasin që ka kolegë tanë që i janë drejtuar DKA-ve për të marrë pushim një vjetor pa pagesë. Ata i kanë dhënë arsyet e tyre por kam drojën se një pjesë e tyre tenton të marrë pushim një vjet për të shkuar në vende të ndryshme të botës apo edhe brenda Kosovës në ndonjë punë tjetër dhe në këtë mënyrë nëse kjo bëhet dukuri atëherë arsimi në Kosovë do të ketë probleme me mungesë kuadrash.

Ngase dihet se nxënësve tanë u duhen mësimdhënës që janë të të njëjtit komb. Pra nxënësve shqiptarë u duhen mësimdhënës shqiptarë, të komunitetit boshnjak i duhet mësuesi boshnjak.. Edhe po patëm paratë e botës ne nuk mund të marrim mësues nga vende tjera sepse ata nuk kanë të njëjtën gjuhë me nxënësit tanë”, tha Jasharaj.

Tutje ai theksoi se Qeveria Kurti duhet ta shoh edhe këtë si problem pasi do ketë telashe për nxënësit në Kosovë.

“Qeveria Kurti duhet ta shoh edhe këtë si problem pasi që u bë shprehi dhe po na ikën kuadro nga arsimi, policia, nga shëndetësia dihet. Ka largim të vazhdueshëm dhe shkuarje në vende të Evropës, atëherë do të kemi telashe sepse nuk do të ketë kush të na mësojë fëmijët tanë në Kosovë”, deklaroi kryetari i SBASHK-ut.

Të ngjashme