Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo tha se deri më tani dëmet e shkaktuara nga të reshurat janë rreth 1 milion e 200 mijë euro.
Por sipas tij, duke marrë për bazë që edhe këto ditë ka pasur reshje, dëmet janë më të mëdha, por shuma reale do të mësohet pas vlerësimeve të bëra nga komisioni i ministrisë, raporton Ekonomia Online.
Në Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor Rikalo, shtoi se do të kërkojnë nga Qeveria ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për të ndihmuar bujqit nga i gjithë vendi.
“Ajo që tani po bëjmë është se menjëherë do i kërkojmë Qeverisë ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për ndërhyrjen urgjente sepse kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe bujqit duhet ndihmuar”, tha Rikalo.
“Fondi për kompensimin e dëmeve është fondi që do të ishte i domosdoshëm. Por prej vitit 2009 ministria i ka dërguar ministrisë së Financave dhe nuk iu ka përgjigjur kërkesës sonë dhe nuk kemi pasur fond specifik në buxhet që do të ndikonte në kompensimin e dëmeve natyrore të tilla”, tha Rikalo.
Por Rikalo tha se do të rishikojnë buxhetin që të shohin se me çfarë mjete do t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara.
“Për vitin 2018 të gjitha komunat që kanë pasur ndonjë dëm material nga të reshurat kanë paraqitur kërkesën për lloje të ndryshme të fatkeqësive natyrore dhe dëmet qe janë shkaktuar në komunën e Rahovecit janë shumë të mëdha”, shtoi Rikalo.
Ai tha se për sistemin e mbrojtjes nga breshëri ministria është duke punuar me një organizatë zvicerane dhe atë model po përpiqen ta vendosin edhe në Kosovë.
“Nuk ka sistem të mirë të ujitjes dhe kjo temë duhet të jetë parasysh sepse nuk ka sistem të mbrojtjes nga breshëri, sistemi raketor që nuk është dhe kjo është temë në tërë regjionit çështja e sigurisë së prodhimeve bujqësore që bujqit të mund të marrin kompensimet nga dëmet e tilla”, tha Rikalo.
Anëtarët e komisionit të pranishëm në këtë mbledhje, pos shqetësimit lidhur me këtë temë a u shprehën të pakënaqur me ministrin e Bujqësisë i cili s’ka qenë i pranishëm në shumë seanca të Kuvendit.
Ku sipas tyre prezenca e ministrit në seanca ka qenë e domosdoshme që të raportoj në vazhdimësi për dëmet dhe problemet që janë në bujqësi.
Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj u shpreh i shqetësuar me dëmet që janë bërë në komuna të ndryshme të Kosovës për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe shqetësimi i tij më i madh ishte në lidhje me kompensimin e dëmeve se a do të ketë fonde të mjaftueshme.
Rikalo sqaroi se kërkesa për kompensim brenda 10 ditësh do të dërgohet në Qeveri dhe se do të kompensohet të gjitha ata që kanë aplikuar.
“Kërkesën drejtuar Qeverise për kompensim të dëmeve do ta paraqesim brenda 10 ditëve për të marrë fonde rezervë për dëmet në Komunën e Rahovecit”
“Ndarja e subvencioneve do të filloj dhe të gjithë ata që kanë kërkuar subvencione do të marrin dhe askush nuk do mbetet pa marrë”, tha Rikalo.
Deputeti Libur Aliu e pyeti ministrin se pse ende nuk ka sistem raketor kur në kohët e më hershme nuk ka qenë ky problem dhe a është iniciuar kjo çështje deri tani, po ashtu ai e pyeti se a i ka bërë ministria e Bujqësisë kërkesë Qeverisë lidhur fondin.
Deputetit Sali Salihu tha se ministri nuk ka qenë i pranishëm në Kuvend në seanca mjaftë të rëndësishme të cilat janë të lidhura me bujqësinë.
Kjo sipas tij, ka qenë serioze dhe se është dashur të jetë i pranishëm kur janë diskutuar temat të ndryshme lidhur me bujqësinë, pasi që ai është personi më kompetent që është dashur të jap përgjigje para të gjithëve.
Për mosprezencën në seanca të Kuvendit Rikalo tha se ka marrë vetëm dy pyetje, përderisa në komisione ka qenë i pranishëm sa herë është ftuar.
Ai ka sqaruar se shumë shpejt mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeverisur do të zgjidhen, pas largimit nga Qeveria të Listës Serbe, por që jo zyrtarisht, raporton EO.
“Çdo herë që jam ftuar në komision jam përgjigjur dhe do përgjigjem, dyert janë të hapura të vini edhe ju tek ne, ndërsa për seanca dhe temat që paraqiten atje unë kam marr vetëm dy pyetje, njëra ka qenë nga deputetja Blerta Deliu-Kodra dhe një pyetje tjetër që nuk ka pasur lidhje me këtë, por ka pasur karakter fyes dhe nuk jam përgjigjur”.
“…më vjen keq që pas 26 marsit për arsye shëndetësore i kam pasur më të vogla aktivitetet, por tani kam një mosmarrëveshje politike që besoj do zgjidhet me partnerët e Qeverisë dhe palët e koalicionit”.