Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo ka pritur sot në një takim menaxherin e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë,Marco Mantovanelli, me të cilin kanë biseduar për proceset të cilat kanë ndodhur deri më tani për rimëkëmbjen e sektorit të bujqësisë, si dhe për objektivat e kësaj ministrie për mandatin e ardhshëm, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të këtij sektori
Ministri Rikalo, me këtë rast falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë deri me tash në sektorin e bujqësisë, duke e vlerësuar se ka sjellë rezultate mjaft konkrete dhe të rëndësishme. Ai e njoftoi atë lidhur me prioritetet e tij për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori dhe për investimet, të cilat planifikojnë t’i bëjnë në këtë sektor në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të vitit të ardhshëm.
Duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, ministri Rikalo theksoi nevojën që ky bashkëpunim me Bankën Botërore të shtrihet në sektor të ndryshëm të bujqësisë, duke ndikuar kështu zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë në vend,rritjen e prodhimit dhe motivimin për t’u marrë me bujqësi, transmeton Klan Kosova.
Nga ana tjetër, drejtori i BB-së për Kosovë, Marco Mantovanelli, ka uruar ministrin Rikalo për detyrën e re dhe shprehi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen, dhe e vlerësoi si të rëndësishëm vazhdimin e realizimit të projekteve të ndryshme për avancimin e mëtejmë të bujqësisë.