Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, qëndruan për vizitë zyrtare në Finlandë nga data 1 deri më 3 dhjetor, shkruan EkonomiaOnline.
Gjatë vizitës treditore, kryetari Konjufca dhe nënkryetarja Bogujevci, u priten në takim edhe nga kryetarja e Parlamentit Finlandez, Anu Vehviläinen, me ç’rast biseduan lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.
“Marrëdhëniet mes dy shteteve, përfshirë edhe ato mes parlamenteve tona, u vlerësuan si shumë të mira. Në këtë vazhdë, u konstatua se bashkëpunimi dypalësh, duke përfshirë edhe marrëdhëniet ekonomike, mund të intensifikohet dhe zhvillohet më tej. Po ashtu u theksua se një kontribut të çmuar në forcimin e këtyre marrëdhënieve vazhdojnë të japin edhe bashkëkombësit tanë, që jetojnë dhe veprojnë në Finlandë”, thuhet në një komunikatë për medie të Kuvendit.
Më tej thuhet se Vehviläinen shprehu mbështetjen e Finlandës për procesin e reformave në Kosovë dhe veçanërisht për promovimin e sundimit të ligjit, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Finlandës për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE.