Evropa duket se po merr frymë pak më lirisht pas valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstremisht të larta që thyen rekordet e kohërave në Francë e Gjermani.
Por vala e të nxehtit po zhvendoset më në jug, drejt Ballkanit, që do të përvëlohet edhe për disa ditë në vijim. Temperaturat sipas parashikuesve të motit do të qëndrojnë nga e mërkura deri të premten në vlerat maksimale prej 35-38 gradësh celsius me të nxehtin më therës që do të regjistrohet në pjesët qendrore të Ballkanit ku vlerat maksimale do të shkojnë deri në 41 gradë celsius.
Meteorologët kanë paralajmëruar se pavarësisht rënies së temperaturave në Europë, këtë javë, parashikohen stuhi e madje edhe breshër, shkruan Top Channel.
Ajri më i freskët në Europë vjen nga atlantiku dhe pjesët veriore të kontinentit do të regjistrojnë rënie të ndjeshme temperaturash, madje edhe Gjermania dhe Polonia.
Europa u përvëlua këtë fundjavë me temperatura që arritën në 45.8 gradë celsius në Francë dhe 40.9 gradë celsius në disa pjesë të Spanjës, me Katalonjën që arriti 43 gradët celsius. I nxehti në Spanjë çoi në shpërthimin e zjarreve të mëdha, më të këqijat në 20 vite.