Rikthehet në fushë pas 5 muajsh, mbrojtësi kuqezi i jep një pikë Lecces

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Kastrioti Dermaku rikthehet me gol në radhët e Lecces 5 muaj pas ndeshjes së fundit të zhvilluar prej tij me skuadrën puljeze.

Mbrojtësi 29-vjeçar, që kishte nisur të grumbullohej në fillim të tetorit, por pa zbritur qoftë një minutë në fushë (ka munguar për një kohë të gjatë për arsye dëmtimi), u aktivizua në minutën e 76-të në takimin me Brescian në transfertë.

Vetëm 5 minuta pasi shkeli në tapetin e gjelbër, realizoi golin e parë të sfidës, duke i dhënë epërsinë e përkohshme ekipit puljez.

Tri minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Bisoli barazoi shifrat në 1-1, duke i mohuar festën e fitores Lecces.

Ky ishte barazimi i tretë radhazi në ndeshjet e Serisë B për ekipin e Dermakut, që këtë sezon ka ambiciet për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian.


Të ngjashme