Rimbursimi i kuponëve fiskalë vazhdon edhe në 2017-ën

Prishtinë | 05 Dhj 2016 | 17:51 | Nga

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), që nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në këtë fundvit, po vazhdon që të bëjë rimbursimin e mjeteve në llogaritë bankare të qytetarëve të Kosovës për dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Te ata qytetarë që po merren me këtë “biznes”,  pra grumbullim të kuponëve fiskalë, ishte përhapur një propagandë së shumë shpejt do të ndalohet një gjë e tillë nga ATK, por ‘IndeksOnline’ ka kontaktuar me zyrtarë të ATK-së, ku dhe ka mësuar se për këtë çështje qytetarët duhet të rrinë të “qetë”, pasi sipas gjitha gjasave kjo do të vazhdojë njëjtë sikur këto muajt paraprak të këtij viti.

“Nuk kemi ndonjë informacion zyrtar se çfarë pritet të ndërmerret për dorëzimin e kuponëve fiskal, por sigurisht që menjëherë pas çdo vendimi që merret do të lajmërohen me kohë qytetarët e Republikës të Kosovës, përderisa s’ka asgjë konkrete kjo formë do të vazhdoi njëjtë”, ka thënë zyrtarja për informim e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa.

Ndërkaq për sa i përket mendimeve që kjo çështje do të ndërpritet për të nisur me një vendim tjetër të ATK-së, duke e bërë që kjo të rifilloi me “lojë shpërblyese”, ATK-ja thekson se çfarëdo që merret vendim të parët janë qytetarët e Kosovës që do të lajmërohen me kohë.

“Këto normal që janë vetëm supozime se do të ketë ndryshim të kësaj procedure, për këtë vetëm mundet të kemi polemika e jo ende informacion zyrtar andaj edhe njëherë paralajmëroi se për çdo vendim që do të merret së pari do të lajmërohen me kohë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Dihet se projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projekte që implementon ATK-ja, numri i bizneseve të fiskalizuara deri më tani është 25,426, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 32,726.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme