Pakoja e propozuar nga kryeministri, Avdullah Hoti ka paraparë që për rimëkëmbje ekonomike të vihen në dispozicion 1.2 miliard euro.
Mirëpo sipas njohësve të ekonomisë kjo shumë për një periudhë dy vjeçare mund të ishte e mjaftueshme.
Njohësi i ekonomisë Bardh Ahmeti, i tha Ekonomia Online se bazuar në dëmet që janë shkaktuar në ekonomi, Qeveria duhet të ketë një plan afatgjatë.
“Pako e propozuar prej qeverisë Hoti në vlerë prej 1.2 miliard euro, në një periudhë dy vjeçare do të ishte e mjaftueshme për një lloj të rimëkëmbjes, mirëpo besoj që bazuar në dëmet që janë shkaktuar në ekonomi kemi nevojë për një planë pak më afatgjatë dhe nuk besoj që për dy vite do të arrijmë që ta mënjanojmë në tërësi planin ekonomik”.
Ai ka thënë se fillimisht Qeveria Hoti duhet të merret me zbatimin e Pakos Emergjente, ku sipas tij, vetëm 30% e asaj pakoje është ekzekutuar.
“Ajo çka është e rëndësishme është që fillimisht qeveria Hoti të merret me zbatimin e pakos emergjente e cila ka mbetur në fazë shumë të ulët të implimentimit dhe duhet të bëhen rishikime buxhetore gjithashtu edhe rruga ligjore të gjendet në bashkëpunim me kuvendin e Kosovës që të implimentohet Pako Emergjente e hartuar nga qeveria Kurti. Deri tash në bazë të kalkulimeve del që vetëm 30% e asaj pakoje është ekzekutuar prandaj i gjithë sektori është në pritje të atyre mjeteve të zotuara”.
“Thirrja është kjo pako të hartohet në bashkëpunim me sektorin privat, edhe pse një pjesë e saj është eksportuar në ekspozenë e kryeministrit mirëpo mendoj që ka nevojë ende për instrumente të realizimit të kësaj pako dhe ka nevojë ende për shtesa për shembull i vetmi sektor që ceket aty është bujqësia, dhe kemi rritur që të krijojmë një bazë të mirë të prodhimit primar mirëpo ka pastaj ngecje në përpunimin e prodhimit, tha Ahmeti për EO.
Mes tjerash ai thotë se rreth 20% e të hyrave janë më të vogla ose 300 milionë euro më pak. Mirëpo sipas tij, është e pamundur tejkalimi i krizës pa ndihmën e donatorëve dhe borxheve të jashtme.
“Kosova ka një buxhet të limituar dhe kjo është problem pasi që kemi një rënie të të hyrave që gjë është normalë pasi ka qenë kriza dhe diku rreth 20% të hyrave janë më të vogla që në vlerë financiare 300 milionë euro prandaj është e pamundur tejkalimi i kësaj krize pa ndihmën e donatorëve, miqve ndërkombëtar po gjithashtu edhe borxheve të jashtme që duhet t’i marr qeveria në bashkëpunim me kuvendin”.
Ahmeti theksoi se sipas vlerësimeve procesi i rimëkëmbjes mund të zgjasë më shumë se viti 2021, për arsye që rënia ekonomike pritet të jetë e madhe.
“Versioni më i mirë i kësaj faze do ishte të zgjaste deri në vitin 2021 megjithatë ne bazë të analizave dhe vlerësimeve të shumta procesi i rimëkëmbjes mund të shkojë edhe më shumë pasi që rënia ekonomike pritet të jetë e madhe. Ne kemi vlerësuar se rritja ekonomike këtë vit të jetë 4% mirëpo në bazë të parashikimeve të Bankës botërore del që të kemi rënie deri në 11% që do të ishte skenar shumë i keq. Qeveria përmes programeve të ndryshme financiare, kreditore dhe garantuese qeveria duhet të fus mjete në qarkullim dhe është parësore që ta ruajmë punësimin”.
Ai thotë që sipas burimeve të Bankës Botërore rënia ekonomike pritet të shkojë deri në 11%, raporton EO.
“Bazuar në burimet e Bankës Botërore rënia pritet të shkoj deri në 11% që do të ndikonte drejtpërdrejt në të hyrat e vendit dhe do të nënkuptonte bruto produktin me 800 milionë euro”.