Pakoja emergjente u shfrytëzua për konsum, ndërsa Ligji për Rimëkëmbje jo i keq – por u vonua për shkaqe politike.
Efektet e pakos emergjente fiskale si dhe pakos së rimëkëmbjes, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, si ndihmë për qytetarët dhe bizneset për zbutjen e krizës së shkaktuar nga pandemia, kanë dhënë rezultate “të prekshme”, sipas zyrtarëve qeveritarë. Por, njohës të fushës ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve vlerësojnë së këto pako ishin të vonuara, efekti i tyre ishte i vogël pasi paratë shkuan kryesisht në konsum.
Qeveria e Kosovës ka ndarë deri më tani 280 milionë euro në total si pjesë e ndihmës për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia, efekti i të cilave sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, ka qenë i dukshëm. Por, sipas tij, ky efekt do të ishte më i madh sikur votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike të mos bllokohej nga opozita.
“Këtë vit janë ndarë rreth 280 milionë në total për Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike. Prej tyre janë realizuar rreth 250 milionë euro pagesa. Nëse e shikojmë efektin, në kuptimin ekonomik, ekziston një mbulesë e humbjes që ka qenë – po vlerësohet prej ATK-së rreth 1.2 miliard – do të thotë janë mbuluar një pjesë e atyre. Efekti do të kishte qenë shumë më i madh nëse do të miratohej në kohë, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë Krasniqi, për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se një pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, që lidhet me buxhetin s’mund të fillojë së zbatuari pa miratimin e buxhetit për vitin 2021, dhe për këtë u ka bërë thirrje deputetëve që të votohet buxheti.
Së shpejti funksionalizohet Fondi për Garantimin e Kredive
“Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, janë disa nene që nuk kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit e që kanë filluar të zbatohen, siç është tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës. Por janë edhe disa pjesë që janë brenda ligjit të cilat kërkojnë miratim të buxheti”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të funksionalizohet Fondi për garantimin e kredive në mënyrë që sektori privat të ketë qasje më të lehtë në kapital.
Sipas tij, për këtë fond të Qeveria do të ndajë fillimisht rreth 182 milionë euro. “Qeveria do të ndihmojë me rreth 182 milionë, por në kuadër të ligjit ajo duhet të rritet dhe mund të shkojë deri 260-280 milionë”, është shprehur Krasniqi.
Zëvendësministri ka treguar se parashihet që më pakon e re të ketë shtim të subvencioneve për ndërmarrjet, si dhe ndihmë prej tre muajve për punëtorët që kanë humbur vendin e punës nga shkurti deri në fund të vitit 2020.
Lluka: Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, e mirë dhe premtuese
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se pakoja e parë emergjente, ka qenë sociale dhe ka shkuar në konsum.
“Pakoja në mars dhe prill ishte kryesisht sociale për të ndihmuar qytetarët me rreth 170 euro dhe pjesa e pagesës së gjysmës së qerasë, të cilat s’kanë pasur ndonjë ndikim madhështor, sepse kryesisht ka shkuar në konsum duke sakrifikuar një pjesë të buxhetit në këtë aspekt”, ka thënë Lluka, për Ekonomia Online.
Ndërsa Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, ai e vlerëson në përgjithësi të mirë dhe premtuese.
“Pakoja e Rimëkëmbjes është një pako e mirë; ka vërejtje të caktuara në disa pjesë, mirëpo në përgjithësi e parasheh shumë mirë ndihmën ndaj bizneseve dhe qytetarëve të vendit, në mënyrë që të kemi një rimëkëmbje ekonomike pas Covidit”, ka vlerësuar Lluka.
Ai thotë se heqja e tatimit për sektorin minerar si pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike ka qenë gabim, duke përmendur si pjesë kritike të kësaj pakoje edhe vonesën e ekzekutimit të mjeteve.
“Pjesë kritike të pakos janë që kanë të bëjnë me mosekzekutimin e shpejtë të garancioneve bankare për bizneset. Një tjetër absurditet ka qenë heqja e tatimeve për sektorin minerar. Ky sektor ka të bëjë me eksport, gjë që ka pasur rritje edhe gjatë pandemisë dhe s’është dashur që një pjesë e buxhetit të shkojë në atë fushë, sepse kryesisht po ju ndihmon disa bizneseve të limituara, por jo ekonomisë vendore në përgjithësi”, ka thënë Lluka.
Gërxhaliu: Bizneset dhe qytetarët po i vuajnë pasojat e politizimit të pandemisë
Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se bizneset dhe qytetarët janë duke i vajtuar pasojat për shkak të politizimit të pandemisë nga klasa politike.
“Komplet pakoja për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve ka mbetur nën hijen e agjendës politike, agjendë kjo e cila më shumë e ka dëmtuar Kosovën, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe social”, ka thënë Gërxhaliu.
Sa i përket pakos së parë emergjent në fillim të pandemisë, kur Qeveria Kurti kishte ndarë nga 170 euro paga për punëtorë dhe pagesën e pjesshme të qerasë për bizneset, ai vlerëson se kjo pako pjesërisht ka përmbushur kërkesat.
“Që nga marsi i këtij viti kemi pasur një pako emergjente të propozuar nga Qeveria Kurti, e cila pjesërisht ka përmbushur obligimet e veta që t’i paguajë punëtorë. Mirëpo duke pasur parasysh faktin që kemi pasur një informalitet të nivelit të lartë s’kanë përfituar të gjithë në këtë mënyrë. Pra, derisa vendet e rajonit ‘kanë bërë gara’ si ta mbështesin qytetarin dhe biznesin në Kosovë shumë më tepër është luftuar për agjendë politike”, tha Gërxhaliu.
Sa i përket Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit dhjetor, pas shumë vonesave, Gërxhaliu thotë se fokusi ka qenë të tërheqja e 10-përqindëshit, por thotë se pjesa tjetër është shumë vështirë për t’u zbatuar për shkak se mungojnë mjetet dhe zotime financiare.
“Nuk ekzistojmë mjete dhe zotime financiare. Ne po shkojmë zgjedhje, dhe derisa s’do të ketë miratim të buxhetit për vitin 2021 atëherë çdo tentativë tjetër është sterile, por jo mundësi dhe realitet për t’u zbatuar”, është shprehur Gërxhaliu.
Palushi: Sektori prodhues, më pak i dëmtuar
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, në një bisedë me Ekonomia Online thotë se viti 2020 ka qenë më i vështiri për ta.
Sipas tij, pandemia përveç dëmeve në ekonomi, ka prekur edhe shëndetin e punëtorëve e cila ka ndikuar në prodhim dhe shitje.
“Viti 2020 ka qenë një prej viteve më të rënda për Kosovën, por edhe për kompaninë tonë, sepse përveç dëmeve që ka shkaktuar në ekonomi, ka pasur implikime edhe tek shëndeti i punëtorëve dhe natyrisht që kjo ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e prodhimit dhe shitjes”, është shprehur Palushi.
Sa i përket mbështetjes nga Qeveria, ai thotë se për sektorin prodhues kanë qenë deri diku të mirëseardhura, por në përgjithësi sipas tij, ndihma ka qenë e paktë dhe e vonuar.
“Vonesat kanë qenë të mëdha të pajustifikueshme, duke e ditur që Kuvendi është dashur 10 herë të mblidhet për ta miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Sigurisht për disa prej sektorëve që kanë qenë më tepër të atakuar nga situata e krijuar, ndihma është shumë e vonuar dhe e pamjaftueshme”.
“Kur flasim për sektorin prodhues, mendoj që ky sektor ndoshta është dëmtuar më pak, sidomos sektori i prodhimit ushqimor. Në krahasim me sektorët e tjerë, situata te ne ka qenë më pak e rënduar, dhe kjo ndihmë ka qenë e mirëseardhur dhe ndoshta e mjaftueshme, por them për sektorët e tjerë, gastronominë, transportin dhe ndërtimtarinë ka qenë e vonuar”, ka theksuar Palushi.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.