Qendra stërvitore e Forcës Tokësore në Shqipëri është rindërtuar, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes profesionale, sipas standardeve të NATO-s.
“Me rindërtimin e Qendrës Stërvitore të Forcës Tokësore, e mbi të gjitha me rikonceptimin e saj sipas një modeli të ri, kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt rritjes së profesionalizmit dhe modernizimit të gjithë Forcave tona të Armatosura”, njoftoi Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Gjeneral Brigade, Albert Mullai, Komandant i Forcës Tokësore, shprehet se bashkë me ndertësën është ndryshuar i gjithë koncepti i arsimimit.
“Është futur në standardet perëndimore. Aktualisht po përdoren metoda moderne të drejtimit të trupave. Kjo është shoqëruar me krijimin e disa kabineteve të reja. Metodologjia e punës është sipas standardeve të ushtrisë amerikane”, tha ai.
“Këto ndryshime do t’i japin një hov të ri stërvitjes, duke u bazuar në standardin e ri të NATO-s dhe në misionin e forcës tokësore për të mundësuar përgatitjen në ato nivele, që ushtari, skuadra dhe kompania e të gjitha njësitë, të rrisin kapacitete operacionale në funksion të fitores në fushëbetejë”, nënvizoi Mullai.
Qendra Stërvitore e Forcave Tokësore është rikonceptuar me klasa dhe kabinete që do t’i shërbejnë përgatitjes së oficerëve dhe nënoficerëve. Kabineti i xhenio-kimisë dhe ai i taktikës është ringritur nga e para. Po ashtu, pritet shumë shpejt dhe ngritja e një kabineti të ri ku përgatiten trupat që do shërbejnë në OKB.