Vjet nuk ishte fare aktiv e këtë vit synon titullin e kampionit. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, klubi i basketbollit Peja ka prekur pikën më të ulët në histori e tash synon të bëhet klubi kryesor në vend. Angazhimi i kapitenit të Kosovës dhe basketbollistit më të mirë në vend, Dardan Berisha, shihet garanci për këtë. Peja stinorin vjeshtor e ka përfunduar në vend të gjashtë, por ka synime që në fund të edicionit 2019\2020 të jetë e para.
Një transferim i pritur gjatë është kompletuar të premten. Basketbollisti pejan, Dardan Berisha është kthyer pas shtatë vjetësh në klubin ku ka nisur karrierën. Me Berishën në përbërje, pritet që Peja të ketë fjalën kryesore në basketbollin kosovar. Peja në përbërje ka edhe lojtarë të tjerë që vlerësohen lart, vendorë e të huaj, shkruan sot Koha Ditore.
Krejt kjo është dukur shumë e largët në vitet e kaluara. Në pjesën e dytë të edicionit të parë në Evropë, 2016\17, Peja u fut në krizë të thellë financiare. Shpenzimet i kishte të mëdha dhe nuk kishte mbulesë për to. Nga skuadra u larguan të gjithë të huajt, secili më i shtrenjtë se tjetri, e ndërkohë edhe vendorët me përvojë. U larguan edhe drejtuesit dhe në edicionin 2017\18 Peja luajti në Superligë me lojtarë vendorë, kryesisht të rinj.
Ndërkohë për edicionin 2018\19, Pejës iu mor e drejta e garimit për shkak të borxheve të mëdha që kishte ndaj FBK-së dhe FIBA-s, përkatësisht lojtarëve që i kishte pasur në përbërje. Në fillim të shtatorit, befasisht, FBK-ja njoftoi që Peja po kthehej në Superligë dhe se ishte pajtuar të kryente obligimet që kishte. U njoftua pak për kthimin e befasishëm e të fuqishëm të Pejës në elitën e basketbollit kosovar, duke u bërë skuadra e nëntë në Superligë. U njoftua vetëm për një mobilizim të disa afaristëve pejanë për të përkrahur klubin dhe kthimin e tij në elitë. Me transferimin e Dardan Berishës u kompletua kthimi i fuqishëm i një prej klubeve që vlerësohen simbol i basketbollit kosovar.