“Vdekja ime ishte e pashmangshme. Në shekullin e 5-të para Krishtit, nuk kishim as njohuritë, as mjetet për të luftuar sëmundjet vdekjeprurëse. Por ju, njerëzit e shekullit të 21-të, nuk keni asnjë justifikim. Dispononi të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të shpëtuar jetën e miliona njerëzve, jetët e miliona fëmijëve, të cilët, si unë, humbin jetën nga sëmundje të cilat mund të parandalohen dhe të trajtohen”.
Ky ishte mesazhi i shumëpërkthyer i “Myrtisit” drejtuar 150 shteteve anëtare të OKB-së, me rastin e Samitit të OKB-së për Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, në shtator të vitit 2010 në New York, ku Kombet e Bashkuara emëruan Myrtis “Mike e objektivave të mijëvjeçarit të OKB-së”, shkruan Koha Ditore.
Ajo e bindur në detyrën e saj humanitare, “dërgoi” nga Athina e Lashtë një mesazh duke kërkuar që ata të bëjnë ç’është e mundur për të ndaluar vdekshmërinë e fëmijëve nga sëmundje të diagnostikueshme dhe të trajtueshme.
Të njëjtin mesazh përcjell edhe ekspozita “Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”, që është hapur javën e kaluar në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë nën kujdesin e Ambasadës Greke në Tiranë dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Kjo ekspozitë shëtitëse erdhi për herë të parë nga muzetë e Greqisë në Shqipëri, e do të qëndrojë e hapur deri më 6 tetor.