Rimëkëmbja u shndërrua në ringjallje. Ky term do të përdoret tash nga qeveria Kurti, kur flitet për ekonominë postpandemike.
Të hënën, ministri i Financave, Hekuran Murati, publikoi pakon 420 milionëshe, të ndarë në pesë shtylla kryesore.
E para i takon punësimit, për të cilën janë veçuar 50 milionë euro.
Këtu përfshihen ata që kanë humbur punën gjatë pandemisë dhe për skema të veçanta të të punësuarve.
Për biznese e prodhues janë ndarë 108 milionë euro, ndërsa për familjet me asistencë sociale, 50 milionë.
Institucionet publike do të përfitojnë 112 euro, ndërsa në pako përfshihet edhe infrastruktura e ambienti me 100 milionë euro, me mundësi rritjeje përmes donacioneve.
Ligjëruesi i ekonomisë, Sead Ujkani, konsideron se kjo pako i ka prekur të gjitha fushat, sipas nevojës.
Ky madje konsideron se qeveria ka edhe fuqi politike për t’i implementuar këto plane, për dallim nga qeveria e kaluar.
Por, për shkak të përvojave të këqija, më skeptik shfaqen në Shoqatën e Gastronomisë, që bënë pjesë në veprimtarinë hoteliere, e për të cilën janë ndarë 5 milionë euro.
Pakoja e Ringjalljes Ekonomike përfshin edhe blerjen e vaksinave dhe shpenzimeve tjera shëndetësore, që parashihet të kushtojnë 40 milionë euro.