Rinis mostrimi i qumështit

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Në mjediset e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Drejtori Ekzekutiv i AUV-së Valdet Gjinovci, zhvilloi takim informues me përfaqësuesit e projektit të Transparencës dhe Neutralitetit të Mostrave të Qumështit në kuadër të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Në takim është diskutuar sa i takon ecurisë së deritashme në implementimin e projektit të mostrimit të qumështit të papërpunuar nga fermerët, ku për arsyet e ndikimit të situatës pandemike të shkaktuar nga virusi korona COVID-19, aktiviteti i marrjes së mostrave është pezulluar përgjatë muajve Mars dhe Prill.

Pjesë e takimit ishin edhe Milazim Makolli dhe Genta Kadriu nga projekti i Transparencës si dhe Kujtim Uka dhe Hysa Gërbeshi nga LUV.

Gjatë takimit është vendosur unanimisht për rifillimin e menjëhershëm të aktiviteteve për marrjen e mostrave të qumështit që nga data 06 Maj 2020, për testimin e parametrave të cilësisë së tij, dhe me këtë rast Drejtori Ekzekutiv Gjinovci kërkoi mobilizimin teknik dhe logjistik të të gjithë akterëve si nga personat që do të marrin mostrat dhe po ashtu edhe stafi i laboratorit përkatës për testimin e parametrave të kualitetit të qumështit.

Milazim Makolli dhe z. Kujtim Uka njoftuan në detaje rreth organizimit dhe përgatitjeve që janë bërë për rifillimin e aktivitetit, me qëllim që fermerët e prodhimit të qumështit të vazhdojnë përkrahjen nga ana e MBPZhR për subvencionim me qëllim të ngritjes së mëtejshme të cilësisë së qumështit në vendin tonë.Në përfundim të takimit, z. Gjinovci kërkoi nga të pranishmit të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për respektimin e masave profilaktike në përballje me pandeminë COVID-19.


Të ngjashme