Tri shkolla në Komunën e Podujevës, në Dumnicë, Lluga dhe Buricë, e kanë ndërprerë procesin mësimor për shkak të rinovimeve që janë duke u bërë.
Prindërit thonë se këto punime do të duhej të kryheshin para muajit shtator, kur fëmijët kanë qenë në pushim, raporton KOHA.
Sipas tyre, fëmijët nuk janë duke shkuar në shkolla që prej muajit mars dhe se ka pasur mjaft kohë për t’u kryer këto punime.
“…kanë mujt me u rregullua ma herët, pra janë në pyetje 5-6 muaj që kanë mujt me u krye. Nuk është ndonjë shumë e madhe që është duke u investuar që nuk ka mujt Komuna me i dalë në ballë me i krye ato banjo. Është papërgjegjësi e Drejtorisë së Arsimit në këtë kohë, qe sa janë fëmija në pushim rrinë te shpia dhe tamam filluan procesin mësimor, ata duhet me ndalua për shkak të punimeve që bahen”, ka deklaruar Hysni Zhitia, kryetar i Këshillit Drejtues në shkollën “Ilir Konushefci” në Lluga.
Mësimi është ndëprerë edhe në shkollën fillore “Eqrem Çabej”, në fshatin Buricë, në të cilën mësimet i ndjekin edhe fëmijët e fshatit Konushefc e Penuhë.
“…ma mirë u kanë sa u kanë pushimi mos me ua ndërpre fëmijëve mësimin me u krye gjatë pushimeve, kanë pas pushim boll. Me u pas krye gjtë pushimeve, tash bile tash me kanë me ia nisë mësimin normal sikur çdo shkollë”, ka pohuar Fatos Lushaku, banor i fshatit Konushefc.
“Ka fillua kur ka fillua në të gjitha komunat, pastaj u ndërpre. Të hënën kanë mbajt mësim, të martën është ndërpre shkaku jnaë t’u e ngjyrso shkollën, qysh kanë thanë. Fëmija janë t’u mbajt mësim ‘online’ rregullisht qysh kanë mbajt përpara”, ka shtuar Blerim Berisha, përfaqësues i fshatit Buricë.
Drejtori për Arsim në Podujevë, Agim Blakçori, është arsyetuar se pandemia ka pamundësuar kryerjen e punimeve.
Sipas tij, Komuna ka nisur rinovimin në 19 shkolla, por vetëm në tri është ndërperë mësimi.
“Nëse e shikojmë nga ky këndvështrim, mund të thuhet se i kemi neglizhua punët. Por, nuk qëndron ajo, sepse e dimë që në kohën pandemisë janë ndërprerë edhe zhvillimi i procedurave, edhe lëvizja dhe nuk kemi pasur mundësi t’i përgatisim edhe paramasat dhe parallogaritë më herët. Megjithatë, në momentin që na është lejuar që të dalim t’i vizitojmë shkollat me inxhinierët e komunës, kemi dalë i kemi përgatit edhe të gjitha paramasat dhe parallogaritë dhe pastaj i kemi zhvilluar procedurat. Është e vëretë që pak janë vonuar procedurat e prokurimit”, është shprehur Agim Blakçori, drejtor i Arsimit në Podujevë.
Ndërkohë sa i përket gjendjes së pandemisë në shkollat e Podujevës, drejtori Blakçori thotë se për shkak të infektimit të një nxënësi në Dumosh, klasa e tij ka kaluar në skenarin C.