Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka folur për situatën e krijuar në Kosovë, pas sulmit në veri, në fshatin Banjskë, ku nga një grup kriminal u vra polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Ka thënë se për situatën e krijuar “nuk ka zgjidhje ushtarake”, ka thënë Ristuccia për mediumin italian la Repubblica.
“Autoritetet e Prishtinës nuk i përfillën këshillat, dhe ne duhej të paguanim pasojat”, ka deklaruar ushtaraku italian.
Ristuccia ka thënë se situata këto ditë në veri ka qenë e qetë ndonëse mbetet thellësisht e paqëndrueshme.
“Pas sulmit ndaj policisë kosovare të dielën e kaluar, situata tani është më e qetë, por mbetet thellësisht e paqëndrueshme. Ajo që ndodhi rriti mosbesimin mes palëve, kjo kushtëzon perceptimin e fakteve dhe rrjedhimisht sjelljen në terren”, u shpreh ai.
Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës, është e para që bën reagimin kudo në Kosovë, më pas, EULEX-i dhe KFOR-i.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i”, ka thënë Kurti.