River Plate po ëndërron ta rikthejë Gonzalo Higuainin në Argjentinë. Klubi argjentinas po planifikon t’ia ofrojë Juventusit, Julian Alvarezin në shkëmbim, raporton “Tuttosport”.
Higuain është rikthyer në Argjentinë pas shpërthimit të koronavirusit dhe nuk ka marrë vendim për t’iu bashkuar Juventusit. Ai është i shqetësuar për shëndetin. Higuain ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit të ardhshëm.
River Plate po mendon ta kthejë Higuainin dhe krerët e klubit argjentinas janë të gatshëm të ofrojnë reprezentuesin e U-20 të Argjentinës, Julian Alvarez në shkëmbim.
Juventusi pos Alvarezit është duke përcjellë edhe mesfushorin Cristian Ferreira dhe dyshen defensive Martinez Quarta e Gonzalo Montiel.
Higuain u largua nga River Plate në vitin 2007, duke kaluar te Real Madridi atëbotë për 12 milionë euro. Në Serie A të Italisë kaloi në vitin 2013, fillimisht te Napoli, e më pas te Juventusi. Stinorin e kaluar ishte i huazuar te Milani për gjashtë muaj e më pas te Chelsea.
Ai i ka zhvilluar 215 ndeshje në Serie A, duke shënuar 122 gola. Në stinorin 2015/16 shënoi 36 gola në ligë, duke thyer rekordin për më së tepërmi gola të shënuar brenda një edicioni, që e kishte vendosur legjenda e Milanit, Gunnar Nordahl në vitet 1950-ta. Higuain në atë edicion ishte te Napoli.