Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit për punën e Ministrisë në vitin 2022 dhe planin e punës për vitin 2023, në Komisionin për Ekonomi, si të arritur të vitit të kaluar e ka paraqitur ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihje të kriptovalutave në veri, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se në vitin që shkoi janë konfiskuar gjithsej 600 pajisje për mihje të kriptovalutave në veri të Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe të masave emergjente është ndaluar përdorimi i energjisë elektrike për mihje të kriptovalutave, aktivitet që zhvillohet në ekonominë e hirtë dhe mendoj që kjo ka pasur një efekt në të gjithë vendin, përfshirë këtu edhe në komunat në veri të Kosovës ku janë konfiskuar mbi 600 pajisje në tetë ferma të kriptovalutave të cilat gjatë vitit të kaluar janë shkatërruar në veri nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës”, ka theksuar Rizvanolli.
Sipas saj kjo ka bërë që konsumi i energjisë në veri të bie dhe i ka kursyer Kosovës mbi 1 milion euro çdo vit.
“Kjo i ka kursyer Kosovës mbi 1 milion euro çdo vit në kursimin e energjisë dhe së bashku me luftën ndaj fermave të drogës dhe aktiviteteve të tjera ilegale në veri kemi pasur ulje të konsumit të energjisë, përderisa viteve të kaluara kemi pasur rritje prej 14 për qind për çdo vit. Janë konfiskuar 600 pajisje të kriptovalutave që i kanë kursyer Kosovës mbi 1 milion euro çdo vit. Kemi arritur mbulushmeri me internet të lartë në të gjitha vendin, gjë që është më e mira në rajon”, është shprehur Rizvanolli.
Ajo tha se sa i përket subvencionimit të faturave të qytetarëve, nga muaji shkurt 2022 deri në janar të këtij viti janë ndarë mbi 89 milionë euro.
“Një pjesë e mirë e kohës ka shkuar për menaxhim të krizës energjetike, për t’i mbrojtur qytetarët dhe vetëdijesimi i tyre për të kursyer rrymën. Sa i përket subvencionimit për faturat, për periudhën shkurtë 2022 deri në janar janë subvencionuar faturat mbi 89 milionë euro. Konsumatorët shtëpiak e kanë ulur kërkesën për energji elektrike deri në 4 për qind”, tha ajo.
Rizvanolli ka folur edhe për kredinë prej 13 milionë eurove për investime në modernizim të rrjetit për Telekomin e Kosovës.
Ajo tha se janë ndarë edhe 1 milion euro për zgjerimin e rrjetit në komunat veriore. Sipas saj në këtë institucion nuk ka pasur investime qe nga viti 2016.
“Në fund te viti të kaluar është miratuar kredia prej 13 milion euro për Telekomin e Kosovës për të bërë investime në migrime në kodin 383 si dhe modernizmi të rrjetit, dhe është dhënë subvencion 1 milion euro për zgjerimin e rrjetit në komunat veriore. Pra 14 milionë përkrahje për investime në Telekom, që nuk janë bërë investime që nga viti 2016, e rrjeti është prej viteve 2000. Këto janë investime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, tha ajo.