Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se pas takimit të mbajtur ndërmjet Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryesuesit të Bordit të Fondit Kosovar për Efiçencë të Energjisë (FKEE), Lum Mita u autorizua transferi i mjeteve në shumë prej 1 milion euro për përmirësim të masave të efiçiencës në shkolla fillore dhe të mesme, ndërtesa të mjekësisë familjare dhe objekte tjera komunale.
Ky projekt në total kap shumën 18 milion euro investime dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore. Qeveria e Kosovës për këtë projekt ka ndarë dhe kontribuar me 3 milionë euro.
Fondi është institucion publik që i përgjigjet Qeverisë së Kosovës dhe ka mision përmirësimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Ministrja Rizvanolli ritheksoj mbështetjen për arritjen e objektivave dhe kërkoi nga Fondi që të përshpejtohen investimet në Komuna duke siguruar rritje të komfortit në shkolla dhe shtëpi të shëndetit anekënd Kosovës.
“Në takim u diskutua për zhvillimin e mëtutjeshëm mbi modalitetet e financimit në sektori e efiçiencës së energjisë duke mbuluar sektorët rezidencial dhe sektorin privat. Palët u dakorduan që efiçienca e energjisë duhet të ketë rol të rëndësishëm në transformimin energjetik të Kosovës që do të parashihet në Strategji të Energjisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.