Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolle, ka thënë edhe njëherë që çmimi i tarifave nuk është kompetencë e qeverisë, por ka shtuar që në rast se ka shqyrtim të jashtëzakonshëm, atëherë i presin rezultatet dhe varësisht nga to të marrin masa për mbrojtjen e konsumatorit.
“Sa i përket këmbimit me Shqipërinë gjatë gjithë vitit bëhen shkëmbime sigurisht që ne më shumë deponojmë në Shqipëri në periudhën kur kemi teprica gjatë verës kryesisht”, ka thënë Rizvanolli.
“Deri më tanin nga KEK në KESH janë deponuar 138 mijë e 888 megavatë orë mirëpo kjo edhe mund të vazhdojë të rritet. Sa i përket çmimit të tarifave, sigurisht që e kemi parasysh që kjo nuk është kompetencë e ministrisë as e qeverisë”.
Rizvanolli tha se do t’u qëndrojnë përkrah qytetarëve në të gjitha mënyrat e mundshme për ta përballuar krizën e energjisë.
“Në rast se do të ketë shqyrtim të jashtëzakonshëm presim rezultatet dhe pastaj do t’i marrim masat sipas nevojës për të mbrojtur konsumatorët”.
“Gjatë rishikimit të fundit tarifor në shkurt, qeveria ka zotuar 90 milionë euro për subvencionimin e faturave të qytetarëve nga të cilat 46 mil euro janë disbursuar. Kjo është duke vazhduar, aktualisht nuk kemi shqyrtim tarifor të hapur”.
“Në rast se do të ketë shqyrtim tarifor, në momentin që bëhen përllogaritjet nga zyra e rregullatorit të energjisë, atëherë ne mund të flasim për subvencionimin potencial, vazhdimin e subvencionimit apo rritjen nga ana e qeverisë”.
“Ne kemi qenë të qartë që nga fillimi i krizës që jemi të dedikuar dhe të vendosur që t’u qëndrojmë krah qytetarëve në të gjitha mënyrat e mundshme për ta përballuar krizën duke e përfshirë këtu edhe subvencionimin e faturave të energjisë e që veç është duke ndodhur nga muaji shkurt”.