Rizvanolli: Ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Francës

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka drejtuar tryezën e rrumbullakët për prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe bashkëpunimin ekonomik me Francën, të organizuar në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë, në tryezë morën pjesë zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group dhe kompanive franceze.

Diskutimi u zhvillua pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përfshirë marrëveshjet për ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, marrëveshjen e kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit Francë–Kosovë për Lojërat Mesdhetare dhe marrëveshjen administrative për zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.

Gjatë takimit, Rizvanolli prezantoi prioritetet ekonomike dhe zhvillimore të Kosovës, me theks në tranzicionin energjetik, zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë solare dhe të erës, modernizimin e rrjetit energjetik dhe zhvillimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore.

Ajo foli gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të investimeve në sektorët e teknologjisë së informacionit, prodhimit, tregtisë dhe infrastrukturës, duke ftuar kompanitë franceze të marrin pjesë në projektet investuese në Kosovë.

“Franca është një nga partnerët tanë kryesorë evropianë. Ekziston hapësirë e konsiderueshme që marrëdhëniet tona të fuqishme politike të plotësohen me bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik, investime të reja dhe projekte konkrete në interes të qytetarëve dhe ekonomive tona”, theksoi ministrja Rizvanolli.

Nga ana tjetër, ministri francez Benjamin Haddad e cilësoi diskutimin si produktiv dhe tha se ai shënon fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Ky është fillimi i diçkaje më të madhe dhe shumë më ambicioze. Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi shumë të mirë për ta nxitur dhe thelluar bashkëpunimin tonë”, deklaroi Haddad.

Sipas komunikatës, në takim u diskutua edhe roli i Agjencisë Franceze për Zhvillim në mbështetjen e projekteve në energji, infrastrukturë dhe sport, si dhe kontributi i ekspertizës franceze në përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Të dyja palët shprehën gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin dhe për të punuar së bashku në shndërrimin e prioriteteve të identifikuara në projekte konkrete. Kosova dhe Franca do të vazhdojnë dialogun ndërinstitucional dhe angazhimin me sektorin privat për të nxitur investimet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme