Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.
Aty, ministrja Rizvanolli përmendi shkarkimet të Bordeve nëpër ndërmarrjet publike. E kjo sipas saj është bërë për një arsye.
“Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve e mbikëqyr dhe puna përcillet. Kemi pasur disa shkarkime të bordeve sepse shumicës veç iu ka kaluar mandati dhe janë vendosur bordet e përkohshme por që janë në proces bordet e reja. Është një numër i madh i rasteve të raportuara në polici”, tha Rizvanolli.
Para deputetëve, ministrja Rizvanolli foli për huan që do ta marrin nga BERZH-i në vlerë prej 10 milionë euro.
“Vlera në tri vitet e kaluara ka qenë 9 milionë euro. Do të sigurohemi që lëshime në të ardhmen të mos ndodhin. Sa i përket të dhënave vitit të kaluar nuk i kemi. Por hua pritet t’i kemi 10 milionë dhe mjetet e që i kemi marrë nga BERZH-i pritet të rimbursohen. Listës së rekomandimeve unë nuk e kam pranuar dhe nuk di se çka ka ndodhur”, tha ajo.
Raportin e auditimit për pasqyrat financiare, e paraqiti deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi. Tha se buxheti i këtij dikasteri është zvogëluar për 6 milionë euro.
“Pasqyrat financiare prezantojnë një pamje të drejtë për sektorin publik. Auditori ka konstatuar se kontrollet kanë qenë efektive. Ky raport ka rezultuar me 4 rekomandime, prezantimi jo i saktë i pasurive në pasqyra vjetore financiare. Ndërsa në vlerë mbi 7 milionë euro ende figuron në regjistrat e ekonomisë. Në Ministrinë e Ekonomisë janë 18 punonjës të komunitetit serb. Buxheti për pagat e tyre ishte mbi 90 mijë euro. Buxheti final është zvogëluar për 6 milionë euro. Ky zvogëlim nuk paraqet zvogëlim të fondeve. Për vitin 2021, ishin zbatuar katër rekomandime”, tha ai.