Një hulumtim i mëhershëm statistikor që e ka bërë OJQ “Aktiv” në mjediset serbe në jug të lumit Ibër tregon për pozitën alarmante të të rinjve, njofton radiokim.
Vetëm 32% e të anketuarve të rinj nga mosha 18 – 30 vjeç ka ndërmend të mbetet dhe jetën e vet ta ndërtojë në vendet kua aktualisht jetojnë.
Proporcionalisht, po ky numër i të pyeturve është shumë i vendosur (35%) për t’u larguar ose mendon seriozisht për këtë (33%).
Arsye kryesore për largimin e të rinjve nga Kosova është papunësia (48.5%) dhe dëshira për kushte më të mira për jetesë në vende tjera (19.5%).
Në mesin e të pyeturve se a duan t’i braktisin viset ku jetojnë, 56% për qind e tyre kanë thënë se këtë do ta bëjnë gjatë tre vjetëve të ardhshëm, transmeton Koha.net.
Të pyeturit po ashtu kanë thënë se autoritetet vendore nuk kanë mirëkuptim të duhur për problemet e të rinjve dhe se përgjithësisht nuk përkujdesen mjaft për problemet e tyre (74.6%).
Ky hulumtim i “Aktivit ” është pjesë e programit Point.One në kuadër të projektit Civic Energy Center të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të hapur i Kosovës.