Rob Pieters nga Holanda në QKUK: Jam këtu për përmirësimin e kujdesit për fëmijët me kancer

Prishtinë | 02 Kor 2025 | 11:26 | Nga Diellza Gashi

Drejtori i Qendrës Princess Máxima për Onkologji Pediatrike në Holandë, Rob Pieters, në konferencën për media në QKUK, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për përmirësimin e trajtimit të fëmijëve me kancer në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ai shprehu besimin se përmes këtij bashkëpunimi do të mundësohet shërimi i çdo fëmije me kancer.

“Jam këtu për të bashkëpunuar me qendrën këtu me qëllim që të ndihmojë në përmirësimin e kujdesit për fëmijët me kancer. Ky është misioni kryesor i vizitës sime. Ne punojmë së bashku për të trajnuar njerëzit: për të trajnuar infermierët, mjekët dhe për të ndihmuar në përmirësimin e diagnostikimit të të gjitha llojeve të kancerit te fëmijët.

Një gjë shumë e rëndësishme që dua të theksoj është se fëmijët këtu trajtohen shumë mirë, por vetëm për disa pjesë shumë të ndërlikuara të trajtimit ata mund të dërgohen në qendrën tonë. Më pas, ata mund të kthehen përsëri këtu dhe ne ndihmojmë në këtë proces. Kam pasur një bisedë shumë të mirë me drejtorin e spitalit dhe me ministrin dje dhe ata e mbështesin shumë këtë iniciativë: që fëmijët nga Kosova të mund të trajtohen në këtë spital, në QKUK, me ndihmën tonë.

Dhe vetëm për pjesët më të vështira të trajtimit ata të shkojnë te ne në Utrecht, në Qendrën Princess Máxima, e më pas të kthehen sërish këtu. Ne ndihmojmë nga larg dhe ndihmojmë edhe lokalisht. Ky është mesazhi im kryesor. Dhe shpresoj që, duke vepruar kështu, të mund të shërojmë çdo fëmijë me kancer”, tha Pieters.

Shefja e repartit të hematologjisë pediatrike, Dr. Rufadie Maqenstena, ka mirëpritur sot një ekip profesionistësh nga Holanda, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt që ndihmon në trajtimin e fëmijëve me sëmundje malinje.

Ajo theksoi se për rastet që kërkojnë radioterapi apo transplant të palcës kockore – të cilat ende nuk realizohen në Kosovë – lëshohet dokumentacioni për trajtim jashtë vendit.

“Te ne trajtohen fëmijët me sëmundje malinje dhe një gamë e gjerë trajtimesh pediatrike. Sot patëm nderin të kemi për vizitë një profesionist nga Holanda. Kjo vizitë u realizua falë bashkëpunimit të vazhdueshëm që kemi me mjekët holandezë, të cilët çdo gjashtë muaj vijnë për të na vizituar dhe na ndihmojnë shumë në trajtimin e fëmijëve me diagnoza të ndryshme. Në repartin tonë trajtohen raste të shumta, por për ato që janë me rrezikshmëri të lartë dhe kërkojnë radioterapi – që ende nuk ofrohet në Kosovë – apo transplant të palcës kockore, për të cilin nuk kemi ende mundësi ta realizojmë këtu, jemi të detyruar të lëshojmë dokumentacionin për trajtim jashtë vendit,” shtoi ajo.

Të ngjashme