Që nga pastrimet, mbajtja e peshave dhe komunikimi, një numër robotësh kanë ndihmuar njerëzimin në betejën kundër pandemisë së koronavirusit. Robotët po ulin kostot dhe po ndihmojnë në reduktimin e përhapjes së infeksioneve. Por gjithashtu janë shtuar edhe shqetësimet se përhapja e automatizimit po kërcënon vendet e punës ndërsa rritet papunësia.
Mbi 170 studentë në Manila morën pjesë virtualisht në ceremoninë e diplomimit me ndihmën e robotëve.
Tajlanda po përdor një grup robotësh për të ndihmuar në zbatimin e masave të pastrimit në një qendër tregtare në kryeqytetin Bangkok, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.Ky vend është në prag të hapjes së dyqaneve pas disa muajsh mbyllje.
Ndërsa në Tokio, robotët po përdoren nëpër hotele ku janë të vendosur pacientë me COVID-19 me simptoma të buta për të minimizuar rrezikun e punonjësve.
Robotët po përdoren gjithashtu edhe në spitale për pastrim dhe dezinfektim. Ata mund të shërbejnë pijet dhe ushqimin nëpër restorante, si ky robot në një restorant kinez në Holandë.
Qendra Mjekësore Sheba në Izrael po teston edhe mundësinë e vizitës virtuale me mjekun përmes robotit. Eyal Zimlichman drejton novacionet në këtë qendër.
“Kemi shumë zhvillime gjatë javëve të fundit dhe duam të testojmë se si mund të funksionojë.”
Në Belgjikë, robotët po përdorin rreze ultravjollcë për pastruar më mirë mjedisin dhe asgjësuar mikroorganizmat. Ivo Schapdryver është drejtues i kompanisë Medtradex në Belgjikë.
“Duam të sigurohemi që çdo sipërfaqe të pastrohet me rreze ultravjollcë ndërsa roboti futet vetë në dhomë për të bërë trajtimin e saj.”
Një supermarket në Gjermani po përdor robotin për të këshilluar blerësit se si të jenë më të sigurt dhe të mbrohen nga pandemia e koronavirusit.
Në Hong Kong robotët po përdoren për të pastruar dhe dizinfektuar vagonat e trenave. Roboti “Temi” i ndihmon të moshuarit të bëjnë lidhje me video me të afërmit e tyre ndërsa i mban të sigurtë larg njerëzve të tjerë dhe rrezikut nga koronavirusi. Vizitat në shtëpitë e pleqve janë kufizuar si rezultat i pandemisë.
Por robotët po përdoren për të bërë detyra të rëndësishme edhe në dyqane duke menjanuar kontaktin njerëzor. Në një dyqan në Kaliforni, roboti “Tally” kryen detyrën e llogaritarit duke skanuar çdo gjë nëpër rafte dhe porositur ato që mungojnë.
Përdorimi i robotëve po shkurton koston dhe po ndihmon në reduktimin e përhapjes së infeksioneve. Ndërkohë është shtuar frika se përhapja e kësaj teknologjie po kërcënon vendet e punës në shumë sektorë ndërsa është rritur papunësia.
Në dukje si një tank, ky robot në Rusi spërkat dezinfektues dhe ka një kapacitet për të mbuluar rreth 3 mijë metra katrorë.
Në Kolumbi një kompani dërgesash po kufizon ndërveprimet me njerëzit duke përdorur robotët postierë dhe duke reduktuar mundësinë e përhapjes së infeksionit.
Richard Tare është banor në kryeqytetin amerikan Uashington dhe po pret të marrë dërgesën që ka porositur në internet. Ky robot autonom shërben për të transportuar porositë e blerësve nëpër dyqane. Ai mund të kalojë pa problem një kryqëzim dhe të ngjitet nëpër trotuare. Kjo teknologji ka ndihmuar restorantet dhe dyqanet të qëndrojnë të hapura ndërsa ka kufizuar kontaktet njerëzore gjatë pandemisë.
Situata ka ekspozuar edhe problemet në zinxhirin e furnizimeve me sende mjekësore, ndërsa zyrtarët shpresojnë që dronët të jenë pjesë e zgjidhjes.