Një robot që mund të ecë dhe të flasë ka dalë para Parlamentit britanik për të parën herë, të martën, duke bërë që përdoruesit e “Twitter”-it të rrëmbejnë mundësinë për të thumbuar kryeministrin Theresa May.
E gjithë kjo ndodhi pas një seance dëgjimore në Parlament në lidhje me inteligjencën artificiale. Anëtarët e Komitetit të Edukimit ftuan një robot të quajtur “Pepper”, që t’iu përgjigjej disa pyetjeve bazë.
I pyetur nëse njerëzit do të kishin një vend në një botë të re, ku sundimi i inteligjencës artificiale do të ishte suprem, “Pepper” u përgjigj me një zë të qetë.
“Robotët do të kenë një rol të rëndësishëm, por ne gjithnjë do të kemi nevojë për aftësi që janë unike për njerëzit; ndjesia e të prekurit, të bërit dhe të nxjerrjes së vlerave nga teknologjia”, tha roboti.
Atij iu bënë edhe pyetje të tjera, e në disa raste “Pepper” dëgjoi dhe tundi kokën pa pasur një përgjigje.
Ndërkohë, krahasimet me tendencën e kryeministres për të kërcyer në mënyrë robotike dhe për të folur me një precizion metodik, gjë që i dhanë asaj edhe nofkën “MayBot”, u shfaqën menjëherë në Twitter.
“Një dëshmitar bëri një performancë robotike para komisionit parlamentar…por nuk ishte Theresa May”, shkruante një përdorues.
May në fakt është kthyer në subjekt të shakave periodike në rrjetet sociale, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë të negociatave për “Brexit”-in. Ajo është thumbuar jo pak për mënyrën e kërcimit, që e ka shpalosur të paktën dy herë, gjatë gushtit në një udhëtim në Afrikë dhe në Konferencën e konservatorëve këtë muaj.