Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar të mirë lajmin e marrëveshjes së KEDS-it dhe Eletroseverit.
Rohde tha se tani duhet të ketë zbatim pa vonesa të mëtutjeshme.
“Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, shkroi Rohde.

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.
Sipas BE-së, ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015. Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në reagimin e tyre.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.