Rohde: Para anëtarësimit, vendet e Ballkanit duhet të zbatojnë atë që është e nevojshme

Prishtinë | 14 Nën 2023 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se takimi i rregullt në Bruksel ndërmjet ministrave të Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor është thelbësore.

Ai tha se plani i rritjes dhe raportet e progresit ofrojnë një bazë solide për dialogun, duke përshkruar një rrugë të qartë përpara dhe se tani ju takon vendeve të zbatojnë atë që është e nevojshme.

“Shkëmbim i rregullt mes Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe homologët të 6 vendeve nga Ballkani Perëndimor janë thelbësore. Plani i Rritjes dhe raportet e progresit ofrojnë një bazë solide për dialogun, duke përshkruar një rrugë të qartë përpara. Tani, u takon vendeve të zbatojnë atë që është e nevojshme”, ka shkruar ai në X.

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian janë takuar të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Takimin tradicional e drejtoi kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Takimi u mbajt vetëm disa ditë pas Komisioni Europian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit, ku përgjithësisht vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtimin e Serbisë e deri diku, edhe të Bosnje e Hercegovinës, si dy vendet me nivelin më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e bllokut në fushën e politikës së jashtme.

Në deklaratën e BE-së pas takimit u tha se përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti mbështetjen e fortë të vazhdueshme të BE-së – politike, teknike dhe financiare – për të gjithë kandidatët dhe kandidatët e mundshëm për t’i ndihmuar ata të çojnë përpara reformat kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike. Në këtë drejtim, Plani i ri i Rritjes i miratuar javën e kaluar duhet t’u mundësojë partnerëve të rrisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Vendet e tjera si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka një detyrim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë, çka është vlerësuar nga Brukseli.


Të ngjashme