Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se mandati i NATO-s nuk ka ndryshuar në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Ai e ka quajtur qëndrim të fortë të NATO-s, deklaratën e sekretarit Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë.
I pyetur për këtë deklaratë, ambasadori Rohde ka thënë para gazetarëve se nuk i sheh deklaratat si diçka tjetër, veçse përkrahje për stabilitetin. Këto komente ai i bëri pas hapjes së fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”.
“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri”.
“Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”.
Një ditë më parë, sekretari i NATO-s u shpreh në Kosovë se përgjegjësit e sulmeve të majit dhe shtatorit duhet të ndëshkohen. Ai ka thënë se ato kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.
Ambasadori Rohde, po ashtu në këtë deklarim për media ka folur edhe për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës si dhe për formimin e asociacionit.
Ai tha se është e rëndësishme për Kosovën që marrëveshjet ndërkombëtare të votohen së shpejti, sepse sipas tij, Kosova do humbasë shumë para nëse ato nuk votohen së shpejti. Kurse sa i përket Asociacionit, ai tha se është e rëndësishme që të krijohet sa më shpejt sepse atëherë Kosova mund të bëj një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë.
Ai tha se qeveria e tij ka disa marrëveshje, e cila është një kredi e dhënë nga KFW që do të ndihmojë për të modernizuar infrastrukturën e energjisë elektrike në Kosovë, dhe fonde nga GIZ për zhvillimin rural .
“Mendoj se është e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që këto marrëveshje ndërkombëtare të votohen së shpejti. Sepse Kosova do të humbasë shumë para nëse këto marrëveshje nuk votohen së shpejti, është në interes të gjithë vendit. Qeveria ime ka disa marrëveshje, është një kredi e dhënë nga KFW e cila do të ndihmojë për të modernizuar, për shembull, infrastrukturën e energjisë elektrike në Kosovë. Ka një kredi ndërkombëtare, ose ka fonde nga GIZ për zhvillimin rural, këta janë vetëm disa shembuj. Dhe, e dini, në rastin tonë ka afate buxhetore, dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato tërhiqen, dhe kjo do të ishte shumë fatkeqësi për Kosovën, por edhe për taksapaguesit gjermanë, sepse paratë nuk mund të shpenzohen,” tha Rohde.
Rohde tha se zgjidhja e qëndrueshme është zgjidhja që përfshinë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës. Ai ceku se Asociacioni duhet të krijohet sa më shpejt sepse atëherë Kosova mund të bëj një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë .
“E dini, unë nuk po konfirmoj apo mohoj asgjë, vetëm dua të ritheksoj atë që themi gjithmonë. Gjermania është një nga partnerët më të afërt të Kosovës dhe ne së bashku me BE-në dhe me mbështetjen e plotë të lehtësuesit të BE-së kemi bërë shumë përpjekje që të ketë një zgjidhje të qëndrueshme, dhe zgjidhja përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Dhe, kryeministri publikisht ka deklaruar se ky propozim i fundit i paraqitur nga BE-ja, është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe jam 100 për qind i sigurt se nuk po bëjmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbështesim plotësisht Kosovën, dhe [Asociacioni] duhet të krijohet sa më shpejt aq më mirë dhe atëherë mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë,” u shpreh ai.