Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar të martën për vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të shkallëzuara që kanë hyrë në fuqi nga 1 nëntori.
Rohde ka thënë se Bashkimi Evropian dhe vendet e QUINT-it gjithnjë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë t’i heqë gradualisht targat ilegale, pasi kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
“Ne si BE dhe QUINT kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM etj. Kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, që të zgjidhen çështjet teknike të mbetura në mënyrë pragmatike”, ka shkruar ai.
Rohde ka shtuar se ende mendon që këshilla për shtyrjen e afatit për targa për 10 muaj të tjerë, duhet të ndiqet.
Ai ka theksuar po ashtu se serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës.
“Do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka thënë më tej ai.
Nga e marta ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, sipas të cilit serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, ndërsa në fazën e dytë të konvertimit të targave, do të gjobiten me 150 euro.
Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.