Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.
Osmani dhe Rohde biseduan edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, një javë pasi ambasadori gjerman shprehu shqetësimin se ndikimi dhe presioni politik në Gjykatën Kushtetuese nuk e hap rrugën drejt anëtarësimit atje,përcjell express.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani dhe Rohde folën edhe “për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët”. Osmani “foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende”, njoftoi Presidenca.