Agjencia Kundër Korrupsionit e ka konfirmuar se Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, e ka pranuar si dhuratë një orë “Rolex” nga Kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani, gjatë vizitës që zhvilloi atje. Por, çfarë thotë Ligji për dhuratat? Si duhet të veprojë një zyrtar kur pranon dhuratë dhe a mund të ndëshkohet?
Para një jave, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qenë për vizitë në Katar. Prej atje s’është kthyer duarthatë. Atij i është dhuruar një orë “Rolex” nga Kryeministri i Katarit.
Sipas çmimeve të publikuara nëpër faqe në internet, ora më e lirë nga kjo firmë kushton 5 mijë e 700 dollarë.
Se një dhuratë e tillë i është bërë Sveçlës e kanë konfirmuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Drejtori i AKK’së, Yll Buleshkaj, ka deklaruar për Gazetën Express se Kabineti i Ministrit Sveçla ka njoftuar për këtë dhuratë dhe që e njëjta do të deklarohet.
Buleshkaj ka thënë se Ligji e parasheh një procedurë administrative për deklarim të dhuratave protokolare, për të cilën thotë se sipas informatave që ka është inicuar.
“Atë që mund ta konformoj është që kabineti i Ministrit e ka njoftuar Zyrën e Drejtorit të AKK për këtë dhuratë protokolare që ka pranuar në Katar dhe që e njëjta do deklarohet. Ligji e parasheh një procedurë administrative për deklarim të dhuratave protokolare e cila sipas informatave që posedoj është inicuar. Me vjen keq, por për vleren nuk mund tē ju them diçka por me gjasë ka vlerë të konsiderueshme”, ka thënë Buleshkaj për Express.
Sipas Ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe prejardhjen e dhuratave, “personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit.”
Dhurata protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.
Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën.
“Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë”, parasheh ligji.
Dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën, sipas ligjit.
Por nëse zyrtari që e ka pranuar dhuratën bën kërkesë, Agjencia me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale.
“Me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare”, parashihet me ligj.
Për zyrtarët që i shkelin dispozitat e këtij ligj, mund të merren masa disiplinore e në rast dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve paraqet kallëzim penal.
“Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar.
Në raste dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve të kryera, ia paraqet kallëzimin penal prokurorisë kompetente”, thuhet në ligj.
Ndryshe, në media u raportua dje se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka pranuar dhuratë nga sheiku i Katarit një orë Rolex në vlerë 30 mijë euro, të cilën ia ka falur ministrisë si suvenir të çmuar.
Lajmi nga mediumi Kosova News, u shpërnda më pas edhe nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili tha se Sveçla ka bërë një gjest jashtëzakonisht të mirë.
Një reagim ka ardhur edhe nga Arbër Zaimi, zyrtar i VV-së.
Ai ka shkruar në Facebook me një dozë sarkazme, duke thënë se Sveçla duhet të sigurohet që Rolexin të mos mund ta përvetësojë ndonjë ministër nga partië tjera në të ardhmen.
“Xhelal Sveçla nuk mjafton që nuk e mban për vete dhuratën e shtrenjtë, por ia kalon inventarit të shtetit. Ai duhet të sigurohet që Rolexin të cilin ia dhuroi kryetari i Katarit nuk do të mund ta përvetësojë ndonjë ministër nga partitë e hajnave, atëherë kur do të kenë mundësi të vijnë në pushtet, pra më së afërmi në vitin 2033”, ka shkruar Zaimi.