Për ta kuptuar “kreativitetin “ e një pjesë të opozitës së tanishme, mjafton vetëm ta shohim “kritikën” e saj drejtuar qeverisë lidhur me eksodin e rinjve nga Kosova. Krejt çka kemi dëgjuar deri tash prej tyre ka qenë prezantimi në Kuvend i të dhënave të marra në mënyrë sipërfaqësore nga mediat. Aty këtu ndonjë konstatim të kot “se po ikin edhe votuesit e Albin Kurtit”. Asgjë më shumë. Asnjë alternativë politike, ekonomike dhe sociale se si ata do vepronin ndryshe në raport prej pushtetit aktual.
Roli i opozitës nuk është leximi i lajmeve. Por, ofrimi i alternativave qeverisëse. Ajo në këtë fazë do të duhej të ishte duke organizuar kontakte intensive me grupe të ndryshme shoqërore dhe ekonomike, si dhe duke hulumtuar mundësitë se si të ndërtohet një strategji afatgjatë me qëllim që të ndalohet kjo plagomë kombëtare.
Madje, në këtë mënyrë, ajo do të dëshmonte se gjatë kësaj kohe sa ka qenë në këtë pozicion nuk e ka kaluar kohën duke u sorollatur kot së koti, por qenka angazhuar mirëfilli për t’u përgatitur për të qeverisur si duhet kurdo që i vjen momenti. Dhe në këtë mënyrë do të përçonte mesazhe shpresëdhënëse, se ia vlen të mendohet edhe mos arratisja, sepse më një ndërrim të pushtetit gjërat mund të kthehen në binarë të duhur.
Mirëpo, mjerisht diskutime të tilla janë inekzistente edhe në taborin opozitar. Sepse, kështu është kur preokupim i vetëm të bëhen opinionet e çastit që gëlojnë nëpër kafiteri. E kur ky ambient shndërrohet në burim të vetëm të gjykimit politik. Apo vetmja gjë që ke mësuar gjatë gjithë jetës politike ka qenë vetëm zbatimi i urdhrave, si kusht për përftim politik.