Shoqata e Mamive të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mamive, ka mbajtur një simpozium ku u fol për rëndësinë dhe punën të cilën e kryejnë mamitë dhe infermieret në Kosovë.
Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive, ka thënë se roli i mamisë se Kosovës është model për arsimimin e vajzave të reja, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se mamit janë gratë e para të punësuara në Kosovë të cilat dhanë shembull, duke thënë se mamia mund të jetë ajo që mundëson jetën e një foshnje.
Kadir Hyseini zëvendësministër i Shëndetësisë ka thënë se mamia dhe infermieria kanë një rol të rëndësishëm.
Ai ka thënë se MSh-ja është e interesuar që të ndihmojë edhe më shumë këtë profesion.
“Procesi ynë shëndetësor ka filluar një rikonstruktim të cilat janë në të mirën e qytetarëve të cilët kanë nevoja shëndetësore”, ka thënë Hyseini.
Ai ka thënë se nuk ka alternativ tjetër pos reforma drejt dijes dhe eksperiencës për të zhvilluar profesionin e mamisë dhe infermierisë.
Ndërsa shtoi se kjo ngjarje është mundësi e mirë për të shpërndarë përvojat mjekësore.